Përfaqësuesi republikan i SHBA-së, Don Bacon, të hënën tha se FBI-ja e kishte paralajmëruar atë se email-i i tij ishte hakuar nga spiunët kinezë, përfshirë mesazhet personale dhe ato të fushatës.
Bacon-it iu tha se Partia Komuniste Kineze kishte akses në llogaritë e tij për rreth një muaj duke përfunduar këtë gjë më 16 qershor, tha ai në X, platforma e mediave sociale e njohur më parë si Twitter.
Lajmi u raportua për herë të parë të hënën nga Washington Post.
Hakimi ishte rezultat i një “cenueshmërie në softuerin e Microsoft-it”, tha Bacon. Microsoft muajin e kaluar zhvilloi një fushatë lidhur me hakerimin, nga e cila thuhet se doli që janë vjedhur qindra mijëra email-e nga zyrtarë të lartë të SHBA-së, duke përfshirë Sekretaren e Tregtisë së ShBA-së, Gina Raimondo, dhe ambasadorin e SHBA-së në Kinë, Nicholas Burns.
“Ka pasur viktima të tjera në këtë operacion kibernetik,” tha Bacon në X. “Qeveria komuniste në Kinë nuk janë miqtë tanë dhe janë shumë aktiv në kryerjen e spiunazhit kibernetik.”
Një zëdhënës i Ambasadës Kineze e quajti zhvillimin një “njollosje” dhe pjesë të një “narrative të pabazë”, duke shtuar se Qeveria e ShBA-së kishte dëmtuar sovranitetin e Kinës me shitjet e fundit të armëve në Tajvan, shkruan Reuters.