Ligjvënësit republikanë, hetime prokurores së çështjes kundër ish-Presidentit Trump në Xhorxhia

Amerika

Ligjvënësit republikanë, hetime prokurores së çështjes kundër ish-Presidentit Trump në Xhorxhia

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 20:45
Kryetari i Komisionit për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Jordan, duke folur gjatë një seance dëgjimore

Ligjvënësit republikanë filluan të enjten një hetim ndaj prokurores së Qarkut Fulton në Xhorxhia, Fani Willis, ndërsa ish-Presidenti Donald Trump po përgatitet të paraqitet tek autoritetet për akuzat penale që ajo ka ngritur për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, një aleat i vendosur i zotit Trump, i dërgoi Prokurores Willis një letër ku parashtron pyetje nëse ajo koordinoi hetimin e saj me Departamentin amerikan të Drejtësisë, përfshirë me Prokurorin e Posaçëm Jack Smith, apo nëse përdori fonde të mbledhura nga taksat federale për hetimin e saj.

“Qeveria federale ka një interes domethënës për mirëqenien e ish-presidentëve”, shkruan Ligjvënësi Jordan në letrën prej pesë faqesh të drejtuar Prokurores Willis, raporton VOA.

“Dhe për shkak se ky ish-president është kandidat aktualisht për po atë post, procesi hetimor përfshin edhe një tjetër interes themelor federal: zgjedhjet presidenciale”, shkruan ai.

Ligjvënësi Jordan ngre shqetësime për motivet që pati prokurorja për të filluar këtë çështjeje hetimore dhe deklaron se Kongresi ka autoritetin “të hetojë nëse ish-presidentët janë bërë objekt procesesh hetimore të motivuara politikisht”. Në letrën e tij, Ligjvënësi Jordan sinjalizon gjithashtu se ligjvënësit mund të shqyrtojnë mundësinë e legjislacionit të ri për përdorimin në të ardhmen të fondeve federale nga strukturat e ligjit në nivel lokal në shtetet amerikane.

Zyra e Prokurores Willis nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ligjvënësi Jordan dhe kryetarët e dy komisioneve të tjera të Dhomës së Përfaqësuesve kanë filluar një hetim të ngjashëm edhe ndaj Prokurorit të Qarkut Manhatan, Alvin Bragg, i cili ngriti akuza penale ndaj ish-Presidentit Trump, në lidhje me shumat e paguara për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Në përgjigje, Prokurori Bragg paraqiti padi ndaj Ligjvënësit Jordan për të ndalur atë që prokurori e quan një “fushatë frikësimi”.

Ish-Presidenti Trump përballet këtë vit me akuza penale në kuadër të katër çështjeve gjyqësore, dy prej tyre të çelura nga Prokurori Smith. Zoti Trump, i pari ish-president amerikan ndaj të cilit ngrihen akuza, është kryesuesi në garën brenda Partisë Republikane për t’u përballur me Presidentin demokrat Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Ligjvënësi Jordan i dha Prokurores Willis kohë deri më 7 shtator për të paraqitur dokumentat dhe komunikimet që kanë të bëjnë me përdorim të fondeve federale nga zyra e saj, si dhe kontaktet në lidhje me çështjen kundër ish-Presidentit Trump me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, apo në pjesë të tjera të administratës së Presidentit Biden.

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve u bë i ditur tre ditë pasi ish-Presidenti Trump akuzoi Prokuroren Willis në platformën e tij të medias sociale për “vazhdim të fushatës, dhe mbledhje fondesh për këtë GJUETI SHTRIGASH. Kjo është në koordinim të rreptë me Departamentin e Drejtësisë të Joe Biden-it. Gjithçka synon NDËRHYRJEN NË ZGJEDHJE!”.

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi letrën e Ligjvënësit Jordan, ndërsa ish-Presidenti Trump po përgatitej të enjten të jepte shenjat e gishtave dhe të fotografohej në burgun e Atlantas, për shkak të 13 akuzave penale, ndër to edhe një akuzë për mashtrim që përdoret zakonisht kundër grupeve të organizuara kriminale.

Sipas dosjes së paraqitur nga Prokurorja Willis, ish-Presidenti Trump akuzohet se bëri presion të paligjshëm ndaj zyrtarëve të shtetit Xhorxhia për të përmbysur humbjen e tij përballë Presidentit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Ish-presidenti, tashmë në moshën 77-vjeçare, përballet me 91 akuza penale në gjykata të ndryshme në mbarë vendin. Ai ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat