​Maduro zyrtarisht president i Venezuelës, SHBA e akuzon për manipulim elektoral

Amerika

​Maduro zyrtarisht president i Venezuelës, SHBA e akuzon për manipulim elektoral

Më: 29 korrik 2024 Në ora: 21:25
Maduro

Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan Venezuelën për manipulim dhe represion zgjedhor duke thënë se shpalljes së mandatit të tretë të presidentit Nicolas Maduro, "i mungon çdo besueshmëri".

Zyrtarët e administratës së presidentit Joe Biden nuk njoftuan ndonjë masë të re ndëshkuese, por nuk përjashtuan vendosjen e sanksioneve shtesë.

“Duke u angazhuar në shtypje dhe manipulim zgjedhor dhe duke shpallur një fitues pa rezultate të detajuara të votimit për secilën zonë elektorale, përfaqësuesit e Maduro zhveshën çdo kredibilitet nga rezultatet e supozuara të zgjedhjeve”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës Biden.

Nicolas Maduro u shpall zyrtarisht president i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) të hënën, ndërsa opozita pretendon fitoren dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar është skeptik ndaj rezultateve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë thirrje për transparencë të plotë në zgjedhjet në Venezuelë dhe tha se është e nevojshme të publikohen rezultatet e zgjedhjeve sipas zonave zgjedhore, tha të hënën zëdhënësi Stephane Dujarric.

Guterres u bëri thirrje udhëheqësve politikë dhe mbështetësve të tyre për moderim, u tha Dujarric gazetarëve, duke shtuar se të gjitha mosmarrëveshjet zgjedhore duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe se organet zgjedhore duhet të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.

Të hënën, nëntë vende të Amerikës Latine kërkuan një "verifikim të plotë" të rezultateve të zgjedhjeve në Venezuelë.

Argjentina, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja, Paraguai, Peruja, Republika Domenikane dhe Uruguai "kërkojnë një verifikim të plotë të rezultateve me praninë e vëzhguesve të pavarur të zgjedhjeve" dhe një takim nën kujdesin e Organizatës së Shteteve Amerikane, sipas një deklarate të përbashkët të nëntë vendeve të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Argjentinës.

Panamaja ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Venezuelën dhe po tërheq stafin e saj diplomatik nga vendi derisa të kryhet një verifikim i plotë i votimit, tha presidenti Jose Raul Mulino. Brazili ka bërë thirrje më parë për "verifikim të paanshëm" të rezultateve të zgjedhjeve në Venezuelë. Presidenti meksikan Andrés Manuel Lopez Obrador tha se qeveria e tij do të njohë rezultatet përfundimtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat