Dy agjenci amerikane ngritën sot padi kundër platformës sociale TikTok dhe kompanisë së tij mëmë ByteDance për shkelje ligjore të privatësisë së fëmijëve.
Departamenti i Drejtësisë së bashku me Komisionin Federal të Tregtisë, ngritën padinë civile në Gjykatën e Qarkut të SHBA për Qarkun Qendror të Kalifornisë kundër TikTok Inc., ByteDance Ltd., dhe filialeve të tyre për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë në internet të Fëmijëve (COPPA) dhe rregulloret e tij zbatuese në lidhje me aplikacionin TikTok.
"COPPA ndalon operatorët e faqeve të internetit që me vetëdije të mbledhin, përdorin ose zbulojnë informacione personale nga fëmijët nën moshën 13-vjeç, përveç nëse ata japin njoftim dhe marrin pëlqimin nga prindërit e këtyre fëmijëve. Ai gjithashtu kërkon që operatorët e faqeve të internetit të fshijnë informacionin personal të mbledhur nga fëmijët me kërkesën e prindërve të tyre," tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë.
Departamenti i Drejtësisë kujtoi se Qeveria amerikane paditi paraardhësin e TikTok, Musical.ly, në vitin 2019 për shkelje të COPPA, dhe që atëherë të pandehurit i janë nënshtruar një urdhri gjykate që u kërkon atyre të ndërmarrin masa specifike për të respektuar COPPA.
“Sipas ankesës, nga viti 2019 e deri më tani, TikTok me vetëdije i ka lejuar fëmijët të krijojnë llogari të rregullta TikTok dhe të krijojnë, shikojnë dhe ndajnë video dhe mesazhe në formë të shkurtër me të rriturit dhe të tjerët në platformën e rregullt TikTok”, thuhet në deklaratë.
“Të pandehurit mblodhën dhe mbajtën një shumëllojshmëri të gjerë të informacioneve personale nga këta fëmijë pa njoftuar ose pa marrë pëlqimin nga prindërit e tyre”, shtoi ai.
Departamenti i Drejtësisë argumentoi se edhe për llogaritë që u krijuan në "Kids Mode", që është versioni i TikTok i destinuar për fëmijët nën 13-vjeç, të pandehurit grumbulluan dhe ruajtën në mënyrë të paligjshme adresa email të fëmijëve dhe lloje të tjera të informacionit personal.
Përveç kësaj, kur prindërit zbuluan llogaritë e fëmijëve të tyre dhe u kërkuan të pandehurve të fshinin llogaritë dhe informacionet në to, të pandehurit shpesh nuk i përmbushnin ato kërkesa, argumentoi agjencia.
“Departamenti është thellësisht i shqetësuar që TikTok ka vazhduar të mbledhë dhe të mbajë të dhënat personale të fëmijëve, pavarësisht një urdhri gjyqësor që ndalon një sjellje të tillë”, tha në deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Benjamin Mizer.
"Me këtë veprim, Departamenti kërkon të sigurojë që TikTok të respektojë detyrimin e tij për të mbrojtur të drejtat e privatësisë së fëmijëve dhe përpjekjet e prindërve për të mbrojtur fëmijët e tyre."