Mark Zuckerberg, kreu i “Meta”, shprehu keqardhjen për vënien në presion nga administrata e presidentit Joe Biden, për të censuruar përmbajtjet në Facebook dhe Instagram gjatë pandemisë.
Në një letër drejtuar kryetarit të komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, ai tha, siç raporton BBC, se zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë anëtarë të Shtëpisë së Bardhë, i kishin bërë presion Metës për të hequr përmbajtjen në vitin 2021.
Shtëpia e Bardhë mbrojti veprimet e saj, duke theksuar se po promovonte “veprime të përgjegjshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike”.
Zuckerberg gjithashtu pranoi se kompania e tij kishte zvogëluar përkohësisht përmbajtjen në lidhje me Hunter Biden përpara zgjedhjeve të vitit 2020, pasi FBI paralajmëroi për dezinformim të mundshëm rus.
Megjithatë, kjo përmbajtje nuk rezultoi të ishte pjesë e një operacioni të tillë, siç sqaroi Zuckerberg.
Duke iu referuar përmbajtjes në lidhje me Covid-19 , Zuckerberg shkroi: “Në vitin 2021, zyrtarë të lartë në administratën e Bidenit, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, vazhdimisht u bënë presion ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar përmbajtje specifike rreth Covid-19. Ne morëm disa vendime që, bazuar në njohuritë dhe përvojën e sotme, nuk do t’i merrnim tani. Mendoj se presioni nga qeveria ishte i gabuar dhe më vjen keq që nuk ishim më të qartë për këtë, e që u dorëzova”.
Zuckerberg theksoi se, në të ardhmen, Meta do të jetë gati t’u rezistojë situatave të ngjashme. Letra e tij iu drejtua Jim Jordan, kryetar i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton mbikëqyrjen e përmbajtjes në platformat online.
Republikanët nga ana tjetër, e përshëndetën letrën si një “fitore të madhe për fjalën e lirë”.
Në një deklaratë të lëshuar për Politico, Shtëpia e Bardhë mbrojti veprimet e saj, duke thënë: “Pozicioni ynë është i qartë dhe konsistent. Ne besojmë se kompanitë e teknologjisë dhe aktorë të tjerë privatë duhet të marrin parasysh ndikimin e veprimeve të tyre tek populli amerikan, ndërsa në të njëjtën kohë ata bëjnë zgjedhje të pavarura për informacionin që paraqesin.’