Për votuesit amerikanë, në zgjedhjet e nëntorit, emigracioni është një nga çështjet kryesore.
Dallimi i dy kandidatëve presidencial, lidhur me këtë çështje është i madh.
Në një zonë të Arizonës, në kufirin me Meksikën, votuesit janë të shqetësuar nga kalimet e paligjshme të kufirit, raporton Zëri i Amerikës, përcjell Klankosova.tv.
Një banore që jeton në këtë zonë kufitare të Arizonës, Patti Burris, thotë se është e lodhur nga emigrantët pa dokumente që kalojnë fshehurazi nëpër pronën e saj nga kufiri meksikan.
Ajo thotë se do të votojë për ish-presidentin Donald Trump.
“Ai do t’i dëbojë ata! Unë e mbështes atë për këtë arsye. Absolutisht, ata duhen dëbuar. Ai mund ta bëjë këtë”, thotë Burris.
Republikani Donald Trump, gjatë kohës kur ishte president, urdhëroi që të ndërtohej një mur 740 kilometra i gjatë në kufirin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
Demokrati Joe Biden, në ditën e parë të detyrës si president, e ndaloi ndërtimin e murit.
Trumpi vizitoi një pjesë të murit kufitar në Arizona javën e kaluar, megjithëse gazeta The Washington Post raportoi se pjesa e murit, që ai vizitoi, ishte ndërtuar para se ai të bëhej president.
“Nuk ka pasur kurrë një kufi si ky në botë, ku kalojnë kaq shumë njerëz. Miliona kriminelë po kalojnë kufirin”, tha Trumpi.
Votuesit demokratë në kuvendin e tyre kombëtar thanë se partia e tyre është më tolerante.
“Emigrantët janë pjesë e komunitetit tonë. Ne kujdesemi për fqinjët dhe për njëri-tjetrin. Këtu bëhet fjalë për kujdesin ndaj njëri-tjetrit”, thotë votuesja demokrate Sandra Kano.
Nënpresidenja amerikane Kamala Harris ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet presidenciale do të mbështesë një rrugë drejt shtetësisë dhe kthimin për votim të një projektligji dypartiak të imigracionit, që është bllokuar në Kongres.
“Patrulla Kufitare e mbështeti atë. Por Donald Trumpi beson se një projektligj për zgjidhjen e problemeve në kufi do të dëmtonte fushatën e tij. Pra, ai urdhëroi aleatët e tij në Kongres që të bllokonin projektligjin”, tha ajo.
Por, votuesja nga Arizona Patti Burris nuk ka një vlerësim të mirë për demokraten Kamala Harris.
“Nuk besoj asnjë fjalë që ajo thotë. Ku ka qenë ajo në katër vitet e fundit?”, thotë ajo.
Burris thotë se do të dëshironte të kthehej në kohën kur qyteti kishte më shumë turistë se sa emigrantë.