Kandidati republikan për President Donald Trump tha të enjten se nuk do të marrë pjesë në një debat tjetër presidencial përballë demokrates Kamala Harris. Disa anketime treguan se Nënpresidentja fitoi debatin e parë mes tyre të martën.
“NUK DO TË KETË NJË DEBAT TË TRETË”, shkroi ish-Presidenti në rrjetin Truth Social. Zoti Trump mori pjesë në debatin me Presidentin Joe Biden në qershor përpara debatit të 10 shtatorit me Nënpresidenten Harris.
Edhe pse zoti Trump u krenua me paraqitjen e tij kundër zonjës Harris, 6 donatorë republikanë dhe tre këshilltarë të zotit Trump i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se zonja Harris e kishte fituar debatin kryesisht sepse ish-Presidenti nuk u qëndroi besnik mesazheve që duhet të përcillte tek votuesit.
Sipas të dhënave të kompanisë Nielsen, rreth 67.1 milionë vetë ndoqën debatin presidencial të së martës, një rritje e theksuar e shikueshmërisë nga debati i qershorit që përfundimisht çoi në tërheqjen nga gara të Presidentit Joe Biden.
Duke folur në një tubim zgjedhor vetëm pak pasi zoti Trump kishte bërë njoftimin në Truth Social, kandidatja demokrate Kamala Harris tha se “besoj se e kemi detyrim ndaj votuesve një debat tjetër”.
Ndërsa zoti Trump shkroi në postimin e tij se anketimet tregonin se debatin e fitoi ai, disa sondazhe treguan se votuesit mendonin se zonja Harris u paraqit më mirë.
Sipas një anketimi bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos që u publikua të enjten, ndër votuesit që thanë se patën dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, zonja Harris mori 53 për qind mbështetje, ndërsa 24 për qind prej tyre thanë se debatin e kishte fituar zoti Trump.
Anketa tregoi se 52 për qind e votuesve të regjistruar besonin se një debat i vetëm mes të dyve mjaftonte, ndërsa 46 për qind do të donin një përballje të dyte mes kadidatëve.
Sipas një anketimi të CNN të bërë pas debatit, shumica e shikuesve thanë se zonja Harris pati një paraqitje më të mirë se zoti Trump.
Një sondazh i bërë nga organizata britanike hulumtuese YouGov tregoi se 54 për qind e të anketuarve thanë se zonja demokratja Harris e kishte fituar debatin, kundrejt 31 për qind që mendonin se fitues ishte republikani Trump.
Anketimet e mëparshme kanë treguar se dy kandidatët kanë në nivel mbështetjeje thuajse të njëjtë me njëri tjetrin përfshirë edhe në shtete që pritet të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.