Republikanët kanë shprehur shqetësimet e tyre pas debatit presidencial të së martës mbrëma midis ish-presidentit, Donald Trump dhe zëvendëspresidentes, Kamala Harris, sipas një sondazhi të ri të Prolific.
Pasi Trump dhe Harris diskutuan me radhë tema të shumta, duke përfshirë ekonominë, abortin dhe emigracionin, 86 për qind e republikanëve thanë se ende planifikojnë të votojnë për kandidatin e tyre, por 40 për qind pranuan se ishin të shqetësuar me performancën e 78-vjeçarit, shkruan Newsweek.
“Këto gjetje zbulojnë një ndryshim të rëndësishëm në ndjenjën e votuesve, me shumë republikanë që shprehin shqetësimin pavarësisht nga mbështetja e tyre e vazhdueshme për Trumpin. Performanca e fuqishme e Kamala Harrisit ka rezonuar në të gjithë linjat partiake, duke marrë mbështetje të madhe”, tha Andrew Gordon, konsulent i lartë kërkimor në Prolific.
Vetëm 16 përqind e republikanëve e vlerësuan performancën e Trumpit si të shkëlqyer. Në të njëjtën kohë, më shumë se një në pesë, ose 24 përqind, e republikanëve e quajtën performancën e Harrisit të shkëlqyer ose të mirë, dhe po aq për qind thanë se demokratja kishte fituar debatin.
Prej të gjithë të anketuarve, 57 përqind thanë se fituesi ishte Harris.
Komentet që tërhoqën më së shumti kritika në adresë të Trumpit ishin kur ai nuk tha qartë në një mënyrë apo në tjetrën nëse do të vinte veto ndaj ndalimit kombëtar të abortit, si dhe kur tha se kishte “koncepte” të një plani të kujdesit shëndetësor.