Gara presidenciale në SHBA dhe çështja e emigracionit

Amerika

Gara presidenciale në SHBA dhe çështja e emigracionit

Më: 15 shtator 2024 Në ora: 16:03
Foto ilustrim

Në debatin mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump më pak se dy muaj përpara ditës së zgjedhjeve, dolën në pah edhe dallimet e tyre për çështjen e emigracionit. Por, pavarësisht qëndrimeve të tyre të ndryshme mbi këtë çështje, asnjëri kandidat nuk ka ofruar deri më tani një propozim gjithëpërfshirës për emigracionin.

Emigracioni ishte një temë e rëndësishme gjatë debatit të parë presidencial. Ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris nuk iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me numrin e shtuar të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë, ish- Presidenti Donald Trump përsëriti pretendimet e tij të rreme se emigrantët kanë shkaktuar një rritje të krimit, duke thënë në të gjithë botën krimi është ulur, ndërsa në Shtetet e Bashkuara është rritur për shkak të hyrjes në vend të miliona emigrantëve.

Studimet tregojnë se emigrantët kanë më pak gjasa të kryejnë krime sesa njerëzit e lindur në Shtetet e Bashkuara.

Por në tubimet e tij elektorale, zoti Trump mban një qëndrim të ashpër për emigracionin, duke premtuar se do të intensifikojë përpjekjet e tij për trajtimin e kësaj çështjeje nëse bëhet sërish president.

"Nëse fitoj, në ditën e parë, ne do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit të emigrantëve në historinë e Amerikës", tha ai.

Ekspertët e emigracionit kanë ngritur pikëpyetje mbi këtë plan.

“Për çfarë bëhet fjalë? A do të ketë oficerë policie dhe zyrtarë të emigracionit që do të shfaqen në banesat e të gjithëve, duke u kërkuar dokumentet e identifikimit”, pyet David Dyssegaard Kallick, drejtor i organizatës Nisma për Studimin e Emigracionit.

Kur zonja Harris u pyet për kalimet e paligjshme në kufi, që shënuan një rritje gjatë administratës së Presidentit Biden përpara se të ulej në muajt e fundit, ajo akuzoi zotin Trump se u kishte kërkuar republikanëve në Kongres që të bllokonin një projekt-ligj dypartiak të reformës së emigracionit. Ajo ka thënë gjatë fushatës se mbështet projektligjin dypartiak mbi sigurinë e kufirit, që përfshin rritjen e numrit agjentët të rojës kufitare.

“Nëse zgjidhem presidente, unë do ta nënshkruaj këtë projektligj. Ne mund të ruajmë trashëgiminë e Amerikës si një vend krenar i përbërë nga emigrantë dhe njëkohësisht të reformojmë sistemin tonë të emigracionit. Ne mund të krijojmë një rrugë për marrjen e shtetësisë dhe të sigurojmë kufirin tonë”, tha zonja Harris.

Ekspertët theksojnë se pa angazhim të Kongresit, reforma e duhur e sistemit të emigracionit është e paarritshme.

“Asnjëri prej tyre nuk foli për rëndësinë e Kongresit. Presidenti mund të bëjë ndryshime të mëdha. Por presidenti ka edhe kufizime lidhur me atë që mund të bëjë”, thotë David Dyssegaard Kallick, drejtor i organizatës Nisma për Studimin e Emigracionit.

Duket se nuk ka të ngjarë të ketë një debat tjetër mes zonjës Harris dhe zotit Trump. Votuesit do të duhet të ndjekin nga afër planet e tyre të emigracionit ndërsa vazhdon fushata presidenciale./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat