Pesha e votës së komunitetit mysliman në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Amerika

Pesha e votës së komunitetit mysliman në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 19:22
Harris, Trump

Myslimanët përbëjnë më pak se 2 për qind të popullsisë në Shtetet e Bashkuara. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, ndikimi i këtij komuniteti në zgjedhjet amerikane po rritet, kryesisht për shkak të shqetësimeve lidhur me luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Në Bridgeview, një qytezë në periferi të Illinoit e njohur edhe si “Palestina e vogël”, ndodhet kafeteria “Qahwah”, klientë të së cilës janë kryesisht palestinezo-amerikanët e asaj zone.

“Kudo që shkon në këtë zonë sheh myslimanë”, thotë votuesja Deanna Othman.

Ajo është msuese në një shkollë lokale myslimane dhe kliente e rregullt e kafeterisë ‘Qahwah’. Çështja më e rëndësishme për të në këtë vit zgjedhor është fundi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

Lufta nisi pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit vitin e kaluar. Militantët e grupit islamik vranë 1200 persona dhe morën 250 pengje. Kundërofensiva e Izraelit shkaktoi vdekjen e mbi 41 mijë palestinezëve, një numër që Izraeli thotë se përfshin mijëra militantë.

“Për ta fituar votën time, duhet të shoh angazhim për t’i dhënë fund gjenocidit menjëherë”, thotë votuesja Othman.

Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe votues të tjerë në qytezën Bridgeview.

Bashkia Cook në Illinoi, që përfshin qytetin e Çikagos dhe qytezën Bridgeview, ka komunitetin më të madh palestinez në vend. Në Illinoi jetojnë rreth 475 mijë myslimanë amerikanë, rreth 3.7 për qind e popullsisë së përgjithshme në këtë shtet.

“Ata përbëjnë një pakicë të konsiderueshme në Illinoi dhe kanë prirje të votojnë për demokratët”, thotë analistja Tabitha Bonilla.

Ajo është profesore e politikave sociale në Universitetin ‘Northwestern’.

“Shanset që në Illinoi të ketë përmbysje të rezultatit janë të vogla, por në shtete si Miçigani numri i votuesve myslimanë llogaritet të jetë rreth 200 mijë. Hendeku mes republikanëve dhe demokratëve në zgjedhjet e fundit ishte 150 mijë vota. Nëse 200 mijë votuesit myslimanë vendosin të mos votojnë ose nuk votojnë për demokratët, kjo do të kishte ndikim në shtetet e pavendosura si Miçigani”, thotë zonja Bonilla.

“Këta njerëz në Miçigan e dinë ndikimin e bombave të financuara nga Amerika”, thotë Layla Elabed, aktiviste e komunitetit palestinezo-amerikan.

Zonja Elabed është motra e ligjvënëses palestinezo-amerikane nga Miçigani, Rashida Tlaib.

“Duam të ndryshojmë orientimin e politikës aktuale drejt një politike që do të shpëtojë palestinezët dhe do t’i japë fund pushtimit të tyre”, thotë aktivistja Elabed.

“Komuniteti mysliman jo vetëm në Miçigan, por pothuajse në çdo shtet është më aktiv, më i angazhuar se kurrë më parë”, thotë Keith Ellison, Prokuror i Përgjithshëm i Minesotës.

Zoti Ellison është një nga ligjvënësit e parë myslimano-amerikanë në Kongres.

“Komuniteti myslimano-amerikan ka fuqi më të madhe se çdo herë tjetër dhe zëri i tij po dëgjohet”, thotë ai.

Votuesja Deanna Othman thotë se do të donte opsione të tjera në zgjedhje.

“Kam përshtypje se shumica e njerëzve në këtë zonë nuk duan të votojnë për demokratët apo për republikanët”, thotë ajo.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike vlerëson se mbi 2.2 milionë myslimanë amerikanë janë regjistruar për të votuar në Shtetet e Bashkuara në këtë vit zgjedhor. Kjo, sipas organizatës, shënon një rritje për mbi një milioni krahasuar me zgjedhjet e para dy viteve për Kongres që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat