Zelenskyy takime me Biden, Harris mes akuzave të republikanëve për ndërhyrje në zgjedhje

Amerika

Zelenskyy takime me Biden, Harris mes akuzave të republikanëve për ndërhyrje në zgjedhje

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 18:34
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Volodymyr Zelensky

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do të presë sot në Shtëpinë e Bardhë homologun Volodymyr Zelenskyy. Gjatë takimit, udhëheqësi ukrainas pritet të diskutojë mbi planet e tij për të fituar luftën ndaj Rusisë, ndërsa republikanët po e akuzojnë për “ndërhyrje në zgjedhje”.

Pas takimit me zotin Biden, Presidenti Zelenskyy pritet të takohet veçmas me Nënpresidenten Kamala Harris, kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Sidoqoftë, deri më tani nuk ka patur njoftime për një takim me kandidatin republikan për zgjedhjet, ish-Presidentin Donald Trump, i cili gjatë ditëve të fundit ka shtuar kritikat që “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i japin miliarda dollarë një njeriu që refuzon të arrijë një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, republikanët në Kongres po kërkojnë që udhëheqësi ukrainas të shkarkojë ambasadoren e vendit në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, e cila organizoi të hënën një vizitë në një fabrikë prodhimi municionesh ne Pensilvani, një shtet që cilësohet si vendimtar për zgjedhjet presidenciale.

Në një letër drejtuar zotit Zelenkyy, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson tha se vizita në fabrikën që prodhon municione për Ukrainën ishte një “ngjarje fushate partiake e ideuar për të ndihmuar demokratët” që paraqet “ndërhyje në zgjedhje”.

“Mbështetja për dhënien fund të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të jetë dypartiake, por marrëdhënia jonë po vihet në provë dhe po njolloset në mënyrë të panevojshme kur kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale bëhet objektiv në media nga zyrtarë të qeverisë suaj”, tha zoti Johnson.

Të mërkurën, zoti Trump sugjeroi se zoti Biden dhe zonja Harris kanë përgjegjësi për zgjatjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, që nisi pas agresionit të Moskës në shkurt 2022.

“Bideni dhe Kamala lejuan që kjo të ndodhte duke furnizuar Zelenskyyn me para dhe municione në një sasi që nuk i është dhënë asnjë vendi më parë”, tha zoti Trump. Ai argumentoi se Kievi duhet t'i kishte bërë lëshime Moskës përpara se trupat ruse të sulmonin, duke pohuar se Ukraina tani është "në rrënoja" dhe nuk është më në pozita për të negociuar fundin e luftës.

“Çfarëdo marrëveshje, edhe marrëveshja më e keqe, do të kishte qenë më e mirë se ajo që po shohim tani”, tha zoti Trump.

Njoftohen ndihma të reja për Ukrainën

Përpara vizitës së zotit Zelenskyy, administrata amerikane njoftoi ndihma të reja për Ukrainën me vlerë 8 miliardë dollarë.

Në një deklaratë, Presidenti Biden tha se ndihma përfshin raketa, municione dhe bomba me një rreze veprimi deri në 130 kilometra.

Administrata po ashtu po zgjeron trajnimin e pilotëve ukrainas për avionë luftarakë të tipit F-16.

“Për afro 3 vjet, Shtetet e Bsshkuara kanë bërë bashkë botën për të qëndruar në krah të popullit të Ukrainës ndërsa mbrojnë lirinë e tyre nga agresioni rus dhe ka qenë përparësi e administratës sime për të furnizuar Ukrainën me ndihmën që i nevojitet për të fituar”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Zelenkyy falenderoi Shtetet e Bashkuara duke thënë se ndihma e re përfshin “kapacitete kritike për mbrojtjen e popullit tonë”.

“Do ta përdorim këtë ndihmë në mënyrën më të mirë si edhe transparente për të siguruar objektivn e përbashkët, fitoren e Ukrainës, paqen dhe sigurinë transatlantike”, tha Presidenti Zelenkkyy në një postim në rrjetin social X.

Dy presidentët u takuan në kuadër të punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, gjatë së cilës zoti Zelenkyy falenderoi presidentin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe e informoi lidhur me gjendjen në vijën e frontit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat