Miliona banorë pa energji, ndërsa uragani “Helena” godet jugun e Shteteve të Bashkuara

Amerika

Miliona banorë pa energji, ndërsa uragani “Helena” godet jugun e Shteteve të Bashkuara

Më: 27 shtator 2024 Në ora: 20:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Uragani “Helena” goditi bregdetin në një rajon me popullsi të vogël në Florida si një stuhi e fuqishme e Kategorisë 4, duke dëmtuar ndërtesa, e bllokuar banorë për shkak të përmbytjeve si dhe ndërprerë energjinë për miliona të tjerë. Të paktën katër persona u raportuan të vdekur.

Stuhia mbërriti në tokë të enjten vonë, me erëra maksimale të qëndrueshme prej 225 km/orë në zonën rurale Big Bend, ku ndodhen objektet për peshkimin dhe të pushuesve në gadishullin e Floridas.

Në videot në faqet e mediave sociale duken reshje të mëdha dhe rrëzimi i veshjes së jashtme të mureve nga ndërtesat në Perry, Florida, pranë vendit ku mbërriti stuhia. Një stacion lokal lajmesh shfaqi pamjet e një shtëpie të përmbysur. Komuniteti në Perry dhe pjesa më e madhe e qarkut Taylor mbetën pa energji elektrike.

Ekipet e emergjencave dolën me varka të premten për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nga përmbytjet në Qarkun Citrus, rreth 193 kilometra në jug të Perry-it.

“Nëse jeni të bllokuar dhe keni nevojë për ndihmë, ju lutemi të njoftoni ekipet e emergjencave – “MOS PROVONI TA KALONI VETË UJIN”, paralajmëroi zyra e sherifit në një postim në Facebook. Autoritetet thanë se në ujëra mund të ketë kabllo me energji, ujëra të zeza, objekte të mprehta dhe mbeturina të tjera.

Mbi 3 milionë persona mbetën në errësirë në pjesën më të madhe të pjesës juglindore të Shteteve të Bashkuara.

Një person u vra në Florida nga një tabelë që ra mbi makinë dhe dy persona u raportuan të vdekur nga një tornado e mundshme në Xhorxhia jugore, ndërsa stuhia po afrohej. Një person tjetër vdiq në Charlotte, të Karolinës së Veriut, kur një pemë ra mbi një shtëpi.

Uragani doli në breg pranë grykëderdhjes së lumit Aucilla në bregun e Gjirit të Floridës. Ky vend gjendet vetëm rreth 32 kilometra në veriperëndim të vendit ku uragani “Idalia” doli në breg vitin e kaluar, me pothuajse të njëjtën forcë dhe që shkaktoi dëme të shumta.

Ndërsa epiqendra e uraganit kalonte pranë Valdostas, Xhorxhia, një qytet me 55 mijë banorë pranë kufirit me Floridan, shumë banorë u strehuan herët të premten në mjedise pa drita, ndërsa era frynte me forcë jashtë.

Menjëherë pasi kaloi mbi tokë, uragani “Helena” u dobësua dhe mori formën e një stuhie tropikale mbi Xhorxhia, me erërat maksimale të qëndrueshme në 110 km/orë. Stuhia arriti rreth 165 kilometra në juglindje të Atlantës, duke lëvizur drejt veriut me 48 km/orë, në orën 5 të mëngjesit, njoftoi qendra e uraganëve në Majami.

Metereologët prisnin që furtuna të vazhdojë të dobësohet, ndërsa lëviz drejt Tenesisë dhe Kentakit dhe sjell reshje të dendura mbi malet Appalachian, me mundësinë e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve.

Autoritetet qarkulluan paralajmërime të shumta për rreziqet nga uragani, për një zonë të gjerë që arrin deri në Xhorxhian veriore dhe në perëndim të Karolinës së Veriut. Më shumë se 1.2 milionë shtëpi dhe biznese ishin pa energji në Florida, mbi 900 mijë në Xhorxhia dhe mbi 927 mijë në Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut, sipas faqes në internet poweroutage.us. Guvernatorët e këtyre shteteve, si dhe të Alabamas dhe Virxhinias shpallën gjendjen e emergjencës.

“Helene” është furtuna e tetë e sezonit të uraganëve në Atlantik, që ka filluar në 1 qershor. Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) ka parashikuar që këtë vit të ketë uraganë mbi mesataren, për shkak të temperaturave të rritura të oqeanit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat