Miçigani është një nga shtetet e pavendosura të rëndësishme, që mund të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Kamala Harris. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, shkoi në Miçigan, ku bisedoi me disa votues dhe ekspertë të zgjedhjeve në këtë shtet të rëndësishëm, në të cilin kandidatë presidencialë po organizojnë tubime të shpeshta elektorale.
Në dyqanin “Jam'n Bean”, pronari Doug Lee përveç shitjes së akulloreve, po shpërndan edhe reklama për kandidatin republikan Donald Trump në Grand Rapids.
Ai thotë se puna e tij vullnetare për fushatën e zotit Trump është e motivuar nga patriotizmi.
“Unë e dua këtë vend. Shumë njerëz të tjerë e duan vendin. Ka një përpjekje për të ndarë këtë vend. Jemi në një luftë civile”, thotë ai.
Pesëmbëdhjetë kilometra më larg, në selinë e demokratëve në Qarkun e Kentit, një trajnim për vullnetarë për të bërë telefonata për të inkurajuar banorët të votojnë në ditën e zgjedhjeve.
“Rezultatet e zgjedhjeve në 2016 dhe 2020 ishin shumë të ngushta. Unë pres që edhe këtë vit rezultati i zgjedhjeve të jetë i ngushtë”, thotë Joel Ombrey, demokrat në qarkun e Kentit në Miçigan.
Vullnetarët janë çelësi i fitores në Miçigan. Demokratët thonë se janë të sigurt se do të fitojnë.
“Numri i njerëzve që kanë qenë aktivë dhe do të vazhdojnë të jenë aktivë në fushatën tonë është një nga më të mëdhenjtë që kam parë që nga koha kur kam filluar të angazhohem në parti”, thotë Lavora Barnes, kryetare e Partisë Demokrate të Miçiganit.
Edhe republikanët shprehin besim.
“Po trokasim në dyert e dhjetëra mijëra shtëpive në javë. Është një operacion i jashtëzakonshëm në terren, diçka që nuk e kam parë ndonjëherë në këtë shtet”, thotë Pete Hoekstra, kryetar i Partisë Republikane të Miçiganit.
Miçigani është një shtet i pavendosur, që mund t’i japë fitoren Nënpresidentes Harris apo ish-presidentit Donald Trump.
Së bashku me Viskonsinin, Pensilvaninë, Nevadën, Arizonën, Karolinën e Veriut dhe Xhorxhian, këto shtete u fituan me një epërsi prej tre për qind ose më pak në zgjedhjet e vitit 2020.
“Çdo grup votuesish është i rëndësishëm në zgjedhjet, që pritet të jenë të ngushta. Ka disa grupe votuesish, që ne supozojmë se do të mbështesin njërën parti, por vota e tyre nuk mund të merret si e mirëqenë. Për shembull, demokratët duhet të sigurohen që të marrin pjesën më të madhe të votave të afrikano-amerikanëve në Miçigan. Republikanët duhet të sigurohen që të marrin pjesën më të madhe të votave të evangjelistëve në këtë shtet”, thotë Corwin Smidt nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit.
Miçigani ka 15 vota elektorale, që janë të rëndësishme për të arritur numrin prej 270 votash elektorale të nevojshme për të fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, nuk është befasuese që dy kandidatët e vizitojnë shpesh këtë shtet. Sondazhet tregojnë se ata gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë nga votuesit e Miçiganit. Demokratja Kamala Harris e ka vizituar katër herë Miçiganin, që kur mori emërimin e partisë si kandidate për presidente në korrik. Zoti Trump ka qenë në Miçigan nëntë herë në këtë cikël zgjedhor, përfshirë pesë herë vetëm në muajin e fundit.
Në një tubim fushate në Flint javën e kaluar, ai u përqendrua në importet e lira të makinave elektrike nga Kina, një shqetësim për shumë punonjës të industrisë së prodhimit të makinave në Miçigan.
“Nëse nuk fitoj, ju nuk do të keni industri të prodhimit të makinave. Brenda dy deri në tre viteve, gjithçka do të zhdukej. Dhe e di që keni një rritje të vogël. Kjo nuk është një gjë e vogël apo e përkohshme, ju mund mos keni asnjë fabrikë prodhimi”, tha ai.
Sindikata e punonjësve të industrisë së prodhimit të makinave ka një peshë të madhe politike në këtë shtet dhe ka njoftuar mbështetjen për zonjën Harris.
Por ajo përballet me grupe të votuesve arabo-amerikanë, të cilët janë të zemëruar nga qëndrimet e saj mbi luftën në Rripin e Gazës.
Miçigani ka përqindjen më të madhe të arabo-amerikanëve në vend.
Në Detroit javën e kaluar, Nënpresidentja Harris nuk foli për situatën në Rripin e Gazës. Ajo theksoi përpjekjet republikane për të kufizuar abortin, që ka qenë një çështje pozitive për demokratët.
"Disa zyrtarë të këtyre shteteve dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara mendojnë se janë në një pozicion më të mirë se një mjek apo një infermiere për të vendosur se kur pacienti i tyre ka nevojë për kujdes mjekësor", tha ajo.
Për të siguruar fitoren në Miçigan, dy kandidatët duhet të nxisin pjesëmarrjen në votime të mbështetësve të tyre të rregullt dhe të sigurojnë mbështetjen e një numri të vogël votuesish, që thonë se janë ende të pavendosur./VOA