JD Vance dhe Tim Walz gati për debatin nënpresidencial

Amerika

JD Vance dhe Tim Walz gati për debatin nënpresidencial

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 15:40
JD Vance dhe Tim Walz

Kandidatët për nënpresidentë JD Vance dhe Tim Walz përballen sonte në debatin e tyre të parë dhe të vetëm. Debati mes republikanit Vance dhe demokratit Waltz do të zhvillohet në Nju Jork.

Tim Walz dhe JD Vance do të debatojnë për 90 minuta sot në praninë e dy moderatorëve në një sallë pa audiencë.

Senatori nga Ohajo, JD Vance thotë se debati është një shans për të treguar se si republikanët do të përmirësojnë ekonominë dhe do të sigurojnë kufirin.

“Është një mundësi për mua t'i tregoj popullit amerikan se si mund t'ua bëjmë jetën më të mirë dhe se si politikat e Donald Trumpit mund t'i bëjnë ata më të begatë, botën më paqësore dhe kufirin jugor më të sigurt. Nëse i bëjmë këto gjëra, do të fitojmë”, tha ai.

Guvernatori i Minesotës Tim Walz thotë se demokratët mbështesin amerikanët e klasës punëtore. Sipas tij, këtë nuk e bënë kundërshtari i tij.

“Unë u rrita në rajonet qendrore të Amerikës. JD studioi në Universitetin Yale, e financoi karrierën e tij me ndihmën e miliarderëve dhe më pas shkroi një libër, ku kritikon ashpër komunitetin ku u rrit. Ai nuk ka gjë të përbashkët me banorët e kësaj zone të Amerikës. Dhe më duhet t'ju them se mezi pres të debatoj me këtë njeri”, tha ai.

JD Vance, një kritik i dikurshëm i zoti Trump, mori mbështetjen e ish-presidentit republikan në garën për në Senat.

Që nga ajo kohë, ai përqafoi qasjen e zotit Trump "Amerika e Para".

"Armiqtë tanë dhe shumë demokratë na quajnë 'populistë' sikur të ishte një fyerje. Por nëse kjo nënkupton të jesh në anën e njerëzve që punojnë dhe jo me elitat e fuqishme që po dobësojnë klasën tonë të mesme dhe po mbështesin luftërat e palogjikshme jashtë vendit, atëherë mund të më quani populist", tha ai.

Senatori Vance së fundmi u tha udhëheqësve evropianë se duhet të japin kontribut më të madh për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Zoti Waltz thotë se senatori Vance dhe ish-presidenti Trump do të hiqnin dorë nga roli udhëheqës i Amerikës në botë.

“Në të kaluarën, kur republikanët flisnin për lirinë, ata vërtetë e mbronin atë. Ata nuk do t'u kthenin shpinën aleatëve. Ata nuk do ta linin Ukrainën të luftonte vetëm”, tha zoti Walz.

Senatori Vance thotë se zonja Harris po dëmton punëtorët amerikanë, duke favorizuar mbështetjen për emigrantët e paligjshëm.

"Kamala Harris duket se dëshiron t'u ofrojë njerëzve që nuk duhet të jenë këtu, të gjitha përfitimet që u takojnë qytetarëve amerikanë. Kjo do të çojë në falimentimin e vendit dhe do ta bëjë të pamundur për amerikanët e thjeshtë të blejnë shtëpi, ushqime dhe të përfitojnë nga programet sociale”, tha ai.

Guvernatori Walz thotë se karriera e zotit Trump në biznes dhe në politikë tregon se ai përpiqet të mbështesë vetëm njerëzit e pasur si ai.

"Ai dëshiron krijimin e një ekonomie që ndihmon të pasurit dhe dëmton ata me të ardhura më të ulëta. Këtë bëjnë ata. Kostot tuaja rriten. Ata duan të shfuqizojnë ligjin e kujdesit shëndetësor, të shkurtojnë programet sociale dhe sigurimet shëndetësore për të moshuarit, gjëra që e shpëtuan nënën time nga varfëria”, thotë ai.

Ky është debati i fundit i planifikuar përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, ndërsa votimi i hershëm tashmë ka filluar në disa shtete./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat