Një qytet në Miçigan i ndarë mbi planet për hapjen e një fabrike kineze

Amerika

Një qytet në Miçigan i ndarë mbi planet për hapjen e një fabrike kineze

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Në Miçigan, një përplasje lokale për një fabrikë kineze të baterive të makinave elektrike pasqyron polemikën më të gjerë të Shtetet e Bashkuara mbi investimet kineze. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Calla Yu çështja e konkurrencës SHBA-Kinë është në qendër të vëmendjes në qytetin Big Rapids në këtë vit zgjedhjesh presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Kompania kineze Gotion, e cila merret me prodhimin e baterive të makinave elektrike, është në qendër të një debati të ashpër në Big Rapids, një qytet i vogël me afro 8,000 banorë në Miçigan.

"Djalli është duke punuar në komunitetin tonë tani", thotë Pat Currie, pronar i një pike të furnizimit me karburant në Big Rapids.

Kompania kineze Gotion po planifikon të investojë 2.4 miliardë dollarë për të ndërtuar një fabrikë në Big Rapids për të prodhuar komponentë të baterive të makinave elektrike. Kjo ka shkaktuar reagime të ndryshme nga banorët.

"Kjo do të sillte një nxitje pozitive për ekonominë", thotë Al Lawson.

Banori Donald Helder mbështet investimet nga kompania Gotion.

"Ne dërgojmë kaq shumë dollarë amerikanë në Kinë. Duhet të gjejmë një mënyrë për të rikthyer një pjesë të tyre me anë të investimeve në ekonominë tonë amerikane", thotë ai.

Por të tjerët shqetësohen për lidhjet e kompanisë Gotion me qeverinë e Kinës.

"Unë jam 100% kundër investimit të kompanisë Gotion. Mendoj se ka shqetësime serioze mjedisore. Por për mua, shqetësim kryesor është siguria”, thotë Bruce Borkovich, zëvendës-administrator i bashkisë së qytetit Big Rapids.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray paralajmëroi për vijën "e paqartë" midis qeverisë kineze dhe "sektorit privat" në Kinë dhe mundësisë që Pekini të shfrytëzojë dobësitë e Amerikës për të minuar sigurinë e saj kombëtare.

Kompania Gotion nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Gotion u themelua në Kinë dhe dega e saj në Shtetet e Bashkuara e ka selinë në Kaliforni. Anëtarët e bordit të saj janë nga Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.

Nënpresidenti i kompanisë për operacionet e prodhimit në Amerikën e Veriut, Chuck Thelen thotë se kompania e tij po sulmohet pa të drejtë.

"Dikush vendosi ta bëjë kompaninë Gotion një kokë turku, në një kohë kur ne kemi praktika biznesi shumë të ngjashme me shumë kompani të tjera, që tashmë operojnë këtu", tha ai.

Investimet kineze në Shtetet e Bashkuara janë bërë pjesë e fushatës për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Kandidati republikan për president, Donald Trump dhe ai për nënpresident JD Vance, po akuzojnë demokratët për përdorimin e parave të taksapaguesve për të paguar Kinën, që ajo të hapë fabrika në Shtetet e Bashkuara.

“Kina po blen teknologjinë tonë. Ata po blejnë furnizime ushqimore dhe tokën tonë bujqësore”, thotë ish-presidenti Trump.

Sipas gazetës The New York Times, Gotion mori 800 milionë dollarë subvencione nga fondi strategjik i Miçiganit dhe mund të përfitojë ulje taksash nga Ligji i Reduktimit të Inflacionit.

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer dhe demokratë të tjerë pretendojnë se stimujt për kompani si Gotion ndihmojnë në mbajtjen e biznesit në vend, duke frenuar largimin e tyre jashtë.

"Ne nuk mund t'i lejojmë kompanitë kineze të jenë të vetmet që bëjnë novacione në sektorin e makinave elektrike, sepse atëherë ata do të marrin vendet tona të punës, ashtu siç po ndodh në Evropë", tha guvernatorja Whitmer në maj.

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris foli edhe për konkurrencën SHBA-Kinë në fjalimin e saj në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate.

"Unë do të sigurohem që ne ta udhëheqim botën në të ardhmen në fushën e hapësirës dhe atë të inteligjencës artificiale, në mënyrë që Amerika, jo Kina, të fitojë konkurrencën në shekullin e 21-të", tha ajo.

Disa banorë në qytetin Big Rapids thonë se konkurrenca SHBA-Kinë po ndikon debatin mbi investimet.

“E gjithë rezistenca që vjen nga çështjet e sigurisë kombëtare, ka bërë që pothuajse çdo gjë të jetë anti-kineze”, thotë ai

Planet e kompanisë Gotion për të investuar e kanë bërë qytetin Big Rapids pjesë të fushatës presidenciale. Republikani JD Vance bëri një ndalesë në këtë qytet në muajin gusht./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat