Kërkohet hetim për mesazhet telefonike drejtuar votuesve të rinj në Viskonsin

Amerika

Kërkohet hetim për mesazhet telefonike drejtuar votuesve të rinj në Viskonsin

Më: 16 tetor 2024 Në ora: 20:19
Punonjësit zgjedhorë duke ndihmuar votuesit gjatë zgjedhjeve në Viskonsin

VISKONSIN – Organizatat që mbrojnë të drejtën e votës kërkuan të martën nga autoritetet shtetërore dhe federale të hetojnë mesazhet anonime dërguar me tekst që me sa duket u janë dërguar kryesisht votuesve të rinj në Viskonsin, duke i paralajmëruar të mos votojnë në një shtet ku ata nuk e kanë këtë të drejtë.

Organizata ‘Fjala e Lirë për Njerëzit’, në emër të Lidhjes së Votuesve të Grave të Viskonsinit, e paraqiti kërkesën në nivel federal, në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, si dhe në nivel lokal, në Departamentin e Drejtësisë të shtetit Viskonsin. Kërkesa thotë se "mijëra votues të rinj në Viskonsin" morën mesazhe me tekst javën e kaluar, përfshirë punonjës të Lidhjes së Grave Votuese dhe studentë në Universitetin e Viskonsinit.

Mesazhi në fjalë citon ligjin e shtetit Viskonsin që ndalon votimin në më shumë se një vend dhe thotë se shkelja e ligjit mund të rezultojë në gjoba deri në 10 mijë dollarë dhe 3.5 vite burgim.

“Mos votoni në një shtet ku nuk e keni këtë të drejtë”, thuhej në tekst.

Viskonsini njihet për rezultate të ngushta në zgjedhjet presidenciale. Katër nga gjashtë zgjedhjet e fundit u përcaktuan me më pak se 1% diferencë. Presidenti Joe Biden fitoi në vitin 2020 me më pak se 21 mijë vota diferencë.

Të paktën një prej personave që mori mesazhin, e postoi atë në platformën e mediave sociale X.

Lidhja e Grave Votuese, në kërkesën e saj për hetim, thotë se pa marrjen e masave të menjëhershme "dërguesi mund të vazhdojë përpjekjet për të shkurajuar të rinjtë, të cilët e kanë të drejtën e votës, me qëllimin që ata të mos votojnë".

Studentët që ndjekin universitetin në Viskonsin mund të regjistrohen për të votuar në adresën e tyre të shtëpisë, ose në atë të shkollës.

“Por tashmë, shumë studentë dhe votues të tjerë të rinj kanë frikë se do të përballen me ndjekje penale nëse regjistrohen dhe ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar – për shkak të një mesazhi keqdashës dhe të pasaktë të dërguar nga një palë anonime”, thuhet në kërkesën e dërguar.

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara nuk pranoi të komentojë.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë në Viskonsin, Gillian Drummond tha se departamenti i merr seriozisht akuzat për shkelje të mundshme të ligjit zgjedhor. Ajo tha se agjencia po shqyrtonte informacionin e paraqitur në kërkesën për hetime dhe do të vlerësojë "nëse dhe çfarë masash do të ishin të përshtatshme bazuar në faktet dhe ligjin".

Zëdhënësi i Universitetit të Viskonsinit, Mark Pitsch, u shpreh në një email se zyrtarët nuk ishin në dijeni për ndonjë shkelje sigurie që mund të kishte rezultuar në rrjedhjen e informacionit të kontaktit për studentët. Ai shtoi se asgjë nuk u është raportuar zyrtarëve të universitetit në lidhje me mesazhin telefonik dhe se nuk kishte asnjë tregues se sa studentë mund ta kenë marrë atë.

Riley Vetterkind, një zëdhënës i Komisionit Zgjedhor të Viskonsinit, tha në një email për agjencinë e lajmeve Associated Press se komisioni nuk mund të përcaktojë nëse mesazhi telefonik shkel ligjin e këtij shteti, sepse komisioni nuk ka marrë një ankesë formale për të.

Megjithatë, ai e quajti mesazhin "shqetësues" dhe tha se sigurisht që mund t'i bëjë njerëzit të ndihen të frikësuar. Ai u kërkoi personave që e kanë marrë këtë mesazh të kontaktojnë drejtpërdrejt organet e zbatimit të ligjit, nëse janë të shqetësuar për mesazhin.

"E kuptojmë se këto mesazhe telefonike të palëve të treta mund të jenë shumë irrituese për votuesit", tha zoti Vetterkind. "Ne rekomandojmë që votuesit të mbështeten në burimet zyrtare të informacionit zgjedhor, nga zyrtarët shtetërorë ose ata lokalë të zgjedhjeve. Votuesit janë të lirë t'i shpërfillin këto mesazhe në telefon, pasi ato nuk dërgohen nga ndonjë burim zyrtar".

Mesazhi u dërgua ndërsa mijëra votues në Viskonsin po votojnë me postë. Që nga e hëna, gati 240 mijë fletë votimi ishin plotësuar dhe dërguar tashmë në mbarë vendin.

Duke filluar nga data 22 tetor, votuesit mund të fillojnë të shkojnë për votim të hershëm edhe në qendra votimi.

Viskonsini konsiderohet pjesë e "murit blu" – shtete që kanë votuar përgjithësisht për demokratët gjatë dy dekadave të fundit. Së bashku me Miçiganin dhe Pensilvaninë, këto tre shtete pritet të shërbejnë si çelësi drejt fitores për Nënpresidenten demokrate Kamala Harris, ose për kandidatin republikan, ish-Presidentin Donald Trump.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat