Miçigan, përballë sfidave ligjore, zyrtarët e zgjedhjeve garantojnë se procesi është i sigurt

Amerika

Miçigan, përballë sfidave ligjore, zyrtarët e zgjedhjeve garantojnë se procesi është i sigurt

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 08:23
Arban Shala

Në Shtetet e Bashkuara po afrohen zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit dhe në disa shtete ka filluar votimi i hershëm. Në kushtet kur gara mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris është e ngushtë, republikanët kanë kërkuar masa të rrepta për mbrojtjen e integritetit të votës, ndërsa demokratët thonë se disa masa mund ta bëjnë të vështirë procesin për disa votues legjitimë. Miçigani, një nga shtetet që pritet të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve, po përballet me sfida ligjore nga republikanët lidhur procesin e votimit. Zyrtarët zgjedhorë thonë se vota është e sigurt. Kolegia Keida Kostreci ishte në Miçigan, dhe bisedoi me Arban Shalën, zyrtar zgjedhjesh i një prej bashkive të këtij shteti.

Ish-Presidenti Donald Trump ka përsëritur shpesh gjatë fushatës, se mund të ketë manipulime me zgjedhjet.

"Ata do të mashtrojnë në masë. Nëse bëjnë shumë mashtrime, do të jemi në formë të shkëlqyer, por nëse mashtrojnë në nivele rekord, gjë që janë në gjendje ta bëjnë, nuk mund t'ju premtoj”, ka thënë ai.

Zoti Trump ende nuk e ka pranuar humbjen e vitit 2020 duke vazhduar të pretendojë se, siç shprehet ai “votat u vodhën”.

Shtete si Miçigani, që pritet të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, po bëhen gati për kontestime. Jocelyn Benson, Sekretare Shteti në Miçigan thotë se këto përpjekje, përfshirë paditë e pritshme nga republikanët, synojnë të shkakojnë mosbesim tek procesi.

“E dimë se informacioni i rremë në lidhje me saktësinë dhe sigurinë e proceseve tona zgjedhore do të rritet tani që votimi ka filluar dhe do të intensifikohet me afrimin e ditës së zgjedhjeve”, thotë ajo.

Procesi zgjedhor administrohet nga zyrtarë lokalë, si Arban Shala, në qytetin Birmingham, pranë Detroitit.

“Shteti i Miçiganit ka procedura shumë të forta për sigurinë e votës dhe integritetin, si në votim, si edhe në numërim”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Shala ka dhjetë vjet që është i angazhuar me zgjedhjet në shtetin e Miçiganit.

“Votuesi duhet të ketë ID me vete dhe shumë rrallë, një ndër 3000 votues mund të qëllojë që mund të vijë pa ID. Ne sigurohemi që ai është regjistruar, duke pyetur për informacionin e tyre. Për shembull emër, mbiemër, adresë, datëlindje”.

Kur një person nuk ka dokument identifikimi me vete, por e ka emrin në listën e të regjistruarve, ai firmos një dokument ku betohet që po thotë të vërtetën. Nëse rezulton se personi ka gënjyer, pasojat janë të rënda.

“Mundësia që një person të marrë guximin të bëjë manipulim është zero, sepse është e garantuar që ky person do të përfundojë në burg”, thotë ai.

Zoti Shala thotë se masat shtesë të kërkuara nga republikanët, përfshirë një përpjekje që votuesit të paraqesin një dokument shtetësie, janë të panevojshme.

“Në Miçigan nuk mund të votosh nëse nuk je i regjistruar për të votuar. Nuk ka mundësi. Edhe nëse ti vjen dhe thua unë nuk kam ID, ne do të vërtetojmë në fillim që ti je i regjistruar për të votuar. Pra nuk ekziston shansi që ti të votosh duke mos qenë i regjistruar. Duke mos qenë i regjistruar do të thotë që ti automatikisht nuk je qytetar amerikan, sepse vetëm qytetarët amerikanë mund të regjistrohen për t’u votuar”, thotë ai.

Sekretarja e Shtetit Benson shpreh shqetësimin për retorikën që vë në dyshim inegritetin e zgjedhjeve, duke e quajtur atë diçka të rrezikshme.

“Çdo ditë marrim kërcënime nga njerëz që telefonojnë, duke thënë: ‘Unë e di që do t’i vidhni zgjedhjet’ ose njerëz që telefonojnë ose dërgojnë emaile ose mesazhe telefonike ose në disa raste shfaqen edhe në shtëpitë tona për të na kërcënuar ose për të na frikësuar”, thotë zonja Benson.

Jennifer Victor, profesore e shkencave politike në Universitetin “George Mason” të Virxhinias thotë se mbjellja e dyshimit për sistemin e zgjedhjeve është shqetësuese.

"Ka shumë arsye për t'u shqetësuar kur retorika, dezinformatat dhe fjalori anti-demokratik në fushata janë kaq mbizotëruese dhe përsëriten aq shumë nga disa kandidatë. Është diçka që nuk duhet të ekzistojë në një demokraci."

Në Birmingham, zoti Shala është i fokusuar tek mbarëvajtja e procesit. Ai shpjegon se rezultatet paraprake dalin me shpejtësi që natën e zgjedhjeve në Miçigan dhe konfirmohen brenda dy-tre ditësh.

“Nëqoftëse dikush ka ankesa, nëqoftëse një kandidat thotë ‘nuk më pëlqen ky rezultat paraprak’, atëherë ai ka kohë të bëjë këtë ankesë dhe ne e vërtetojmë meqë kemi votat fizike me rezultatin paraprak, vërtetojmë a qëndron apo jo ankesa e kandidatit dhe e çertifikojmë si është rezultati”.

Miçigani, me rreth 10 milionë banorë, ka 15 vota elektorale, që pritet të jenë jetike për fituesin.

Ish-Presidenti Trump fitoi në këtë shtet në vitin 2016 me pak më shumë se 10 mijë vota, ndërsa Presidenti Joe Biden fitoi katër vjet më pas me 154 mijë vota më shumë. Anketat këtë herë tregojnë se të dy kandidatët gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë.

Zoti Shala thotë se është interesante të punosh në zgjedhjet e Miçiganit pikërisht se asnjëherë nuk e di se cili kandidat do të fitojë.

“Zgjedhjet presidenciale janë me më shumë emocion. Në Miçigan është gjithmonë surprizë”, tregon ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat