Dy javë para zgjedhjeve, kandidatët presidencialë intensifikojnë retorikën

Amerika

Dy javë para zgjedhjeve, kandidatët presidencialë intensifikojnë retorikën

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 16:15
Trump, Harris

Komentet e fundit të ish-Presidentit Donald Trump sipas së cilave në Shtetet e Bashkuara ka një "armik të brendshëm", siç shprehet ai, me të cilin duhet "të përballemi", kanë ndezur një valë të re kritikash nga kundërshtarët e tij. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, analistët paralajmërojnë se me retorikën e tyre nxehtë, kandidatët mund të dëmtojë shanset për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa votimi i hershëm ka filluar në disa shtete, Nënpresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris iu drejtua gazetarëve të shtunën, duke intensifikuar kritikat ndaj kundërshtarit të saj politik, ish-presidentit Donald Trump.

“Donald Trump ka dëshmuar se është gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe i papërshtatshëm”.

Zonja Harris e ka përshkruar zotin Trump me këto fjalë në mënyrë të përsëritur që kur kandidati republikan për president bëri komente që ngjallën debat në një intervistë në Fox News kur u pyet se si do të ruhej nga “burokratët që mund ta pengojnë atë”, nëse merr një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

"Kemi armiq të jashtëm, por kemi edhe armikun nga brenda", tha ai duke shtuar: "Kemi disa njerëz të sëmurë, të çmendur të majtë radikalë të cilëve mund t’u përgjigjemi shumë lehtë, nëse është e nevojshme nga Garda Kombëtare ose nëse është vërtet e nevojshme, nga ushtria."

Zoti Trump më vonë sqaroi se po u referohej kundërshtarëve të tij demokratë, por përsëriti pretendime të ngjashme, kur u intervistua më 16 tetor nga The Wall Street Journal.

Guvernatori i shtetit Nju Hampshër, Chris Sununu, një republikan, u pyet në televizionin ABC lidhur me komentet e zotit Trump.

“Askush nuk e pëlqen këtë lloj gjuhe dhe këtë lloj hiperbole, por le të kujtojmë se ai ishte president për katër vjet. A i goditi armiqtë e tij politikë? Unë nuk mendoj se ai do ta bëjë një gjë të tillë. Ai nuk e bëri këtë në mandatin e parë dhe nuk mendoj se do ta bëjë në një mandat të dytë.”

Retorika gjithnjë e më e nxehtë e përdorur nga të dy kandidatët presidencialë kundër njëri-tjetrit, nuk është domosdoshmërisht një formulë fituese për të bërë për vete votuesit, thotë për Zërin e Amerikës analistja politike Shannon O’Brien.

“Mendoj se ka potencialin të jetë problematike nëse e tepron dhe largon njerëzit që janë disi në mes. //Mendoj se mund të ketë disa njerëz që nuk shkojnë të votojnë thjesht se u ka ardhur në majë të hundës me gjithë procesin.”

Prof. O'Brien thotë se kanë mbetur pak votues të pavendosur në këtë fazë të garës, por fushatat po vazhdojnë përpjekjet për t’i bërë për vete.

Zoti Trump do të bëjë fushatë këtë javë në Karolinën e Veriut, Xhorxhia dhe Nevada. Zonja Harris, e cila mbushi 60 vjeç të dielën, pritet të mbajë një sërë bisedash para votuesve të hënën së bashku me ish-anëtaren republikane të Kongresit Liz Cheney në Pensilvani, Visconsin dhe Miçigan në një përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat