Gjykata urdhëron Rudy Giulianin të dorëzojë apartamentin në Nju Jork dhe 26 orë të shtrenjta

Amerika

Gjykata urdhëron Rudy Giulianin të dorëzojë apartamentin në Nju Jork dhe 26 orë të shtrenjta

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 15:47
Rudy Giuliani

Rudy Giuliani duhet t'u dorëzojë suvenirë sportiv dhe pasuri të tjera me vlerë që ai zotëron, dy punonjësve të zgjedhjeve në Xhorxhia, të cilat fituan një vendim gjyqësor për shpifje ndaj tij, që lidhej me zgjedhjet e vitit 2020.

Dy punonjëset, nënë e bijë, thanë se zoti Giuliani u jepte zë gënjeshtrave të Donald Trumpit mbi vjedhjen e zgjedhjeve, gjë që bëri që ato të kërcënoheshin disa herë me vdekje e që jeta e tyre të vihej në rrezik.

Zoti Giuliani pritet t’i paguajë Ruby Freeman dhe vajzës së saj, Wandrea "Shaye" Moss, një dëmshpërblim prej 148 milionë dollarësh.

Mes pasurive që duhet të dorëzojë zoti Giuliani, përfshihet apartamenti i tij në qytetin e Nju Jorkut, më shumë se 12 ora të shtrenjta dhe një makinë Benc Mercedes e vitit 1980, dikur në pronësi të yllit të kinemasë Lauren Bacall, sipas vendimit të gjykatësit të Manhatanit, Lewis Liman të martën.

Në vendim thuhej se tani për tani zoti Giuliani nuk duhet të dorëzojë tre unaza të skuadrës së bejzbollit “New York Yankees”, ose apartamentin e tij në Florida, duke vënë në dukje se ato janë të lidhura në çështje të tjera gjyqësore.

Sipas urdhrit të së martës, zoti Giuliani duhet të heqë dorë brenda shtatë ditësh nga apartamenti i tij në Manhatan, i vlerësuar më shumë se 5 milionë dollarë, si dhe nga rreth 2 milionë dollarë që ai thotë se i takojnë për shërbime të kryera gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2020.

Zoti Giuliani do të dorëzojë një këmishë dhe një foto të nënshkruar, nga legjendat e bejzbollit Joe DiMaggio dhe Reggie Jackson; një foto e nënshkruar në stadiumin ‘Yankee’, një unazë diamanti; bizhuteri, 26 ora të firmave të njohuar si Rolex, Shinolas, Bulova dhe Tiffany & Co.

Njërën prej orëve zoti Giuliani tha se i ishte dhënë prej gjyshit të tij dhe kërkoi që t’i jepej mundësia që ta mbante për shkak të vlerës shpirtërore.

Por gjykatësi Liman e refuzoi kërkesën, duke thënë se ai mund ta kishte përjashtuar, nëse zoti Giuliani do të kishte vërtetuar se vlente më pak se 1000 dollarë.

“Gjykata nuk ka dyshim se disa nga sendet mund të kenë vlerë sentimentale për të pandehurin”, shtoi gjyqtari. “Por kjo nuk i jep të drejtë atij të vazhdojë t’i gëzojë ato ndërkohë që u detyrohet paditësve, rreth 150 milionë dollarë. Askush nuk duhet të lejohet të jetojë në luks dhe në borxhe, në të njëjtën kohë ", tha ai.

Zoti Giuliani i kishte kërkuar gjykatësit në Manhatan që zonja Freeman dhe zonja Moss të mos i shisnin sendet me vlerë dhe pasuritë e tij, deri sa të përfundonte një proces apelimi që ai i kishte bërë vendimit. Por zoti Liman e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke thënë se zoti Giuliani mund t'ia kishte kërkuar këtë gjë gjykatës federale në Uashington, ku nënë e bijë fituan çështjen, gjë që ai nuk e kishte bërë.

Deri të martën, zoti Giuliani nuk e kishte paguar asgjë zonjës Freeman dhe zonjës Moss.

"Ne jemi krenarë që tashmë klientet tona do të fillojnë të marrin një pjesë të kompensimit që u takon për veprimet e Giulianit", tha në një deklaratë Aaron Nathan, avokat i zonjës Freeman dhe zonjës Moss.

"Ky rezultat duhet të dërgojë një mesazh të fuqishëm se ka një çmim për të paguar për ata që zgjedhin të përhapin qëllimisht dezinformata”.

Pas vendimit të gjykatës për të paguar 148 milionë dollarë, zoti Giuliani bëri kërkesë për të shpallur falimentimin, gjë që bllokoi përpjekjet e zonjës Freeman dhe zonjës Moss për të marrë dëmshpërblimin.

Por në korrik një gjykatës e hodhi poshtë çështjen, duke përmendur "sjelljet e përsëritura jobashkëpunuese" të zotit Giuliani, përfshirë dështimin për të respektuar urdhrat e gjykatës, si dhe për të bërë publike burimin e të ardhurave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat