John Kelly: Trump donte gjeneralë si ata të Hitlerit, plotëson përkufizimin e një fashisti

Amerika

John Kelly: Trump donte gjeneralë si ata të Hitlerit, plotëson përkufizimin e një fashisti

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 20:59
John Kelly

Shefi më jetëgjatë i kabinetit i ish-Presidentit Donald Trump po paralajmëron se kandidati presidencial republikan plotëson kriteret e përkufizimit të një fashisti dhe thotë se kur ishte në detyrë, ai kishte sugjeruar se Adolf Hitler "kishte bërë disa gjëra të mira".

Gjenerali në pension John Kelly, i cili shërbeu në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri në vitin 2019, i bëri komentet në intervista për gazetën The New York Times dhe revistën The Atlantic, botuar të martën. Ato janë në vazhdën e paralajmërimeve të kaluara të ish-zyrtarëve të lartë të administratës së ish-presidentit Trump dhe bëhen ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet e fundit.

Rivalja demokrate e zotit Trump, Kamala Harris tha se këto komente tregojnë se kush është "në të vërtetë" ish-presidenti dhe se çfarë lloj komandanti i përgjithshëm do të ishte ai.

Gjen. Kelly ka qenë prej kohësh kritik i zotit Trump dhe e ka akuzuar atë se i ka quajti veteranët e vrarë në luftra "dështakë”. Paralajmërimet e tij të fundit vijnë ndërsa republikani Trump po kërkon një mandat të dytë dhe gjatë fushatës është zotuar se do të zgjerojë në mënyrë dramatike përdorimin e ushtrisë dhe ka lënë të kuptohet se do të përdorte forcën ndaj amerikanëve që ai i konsideron "armiq të brendshëm".

"Ai komentoi më shumë se një herë duke thënë: ‘Hitleri bëri edhe disa gjëra të mira,’” kujtoi zoti Kelly në intervistën për revistën New York Times, duke shtuar se ai vetë zakonisht i mbyllte biseda të tilla duke thënë se “‘asgjë që ka bërë (Hitleri) ... nuk ishte e mirë’", por se zoti Trump herë pas here i rikthehej temës.

Në intervistën me revistën Atlantic, zoti Kelly kujton se kur ish-Presidenti Trump ngriti idenë e nevojës për "gjeneralë gjermanë", zoti Kelly e pyeyi nëse e kishte fjalën për "gjeneralët e Bismarkut", duke iu referuar Otto von Bismarckut, kancelarit që mbikëqyri bashkimin e Gjermanisë. “Me siguri nuk e keni fjalën për gjeneralët e Hitlerit”, kujton John Kelly se e kishte pyetur zotin Trump. Ish-presidenti ishte përgjigjur: "Po, po, gjeneralët e Hitlerit".

Zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung i mohoi këto pohime të martën, duke thënë se zoti Kelly "e kishte bërë veten qesharak duke përhapur këto histori të sajuara".

Zonja Harris përsëriti paralajmërimet e saj për gjendjen mendore të zotit Trump dhe synimet e tij për presidencën.

"Është një dritare që tregon se cili është në të vërtetë Donald Trump-i, nga njerëzit që e njohin më mirë, nga njerëzit që kanë punuar me të në Zyrën Ovale," u tha zonja Harris gazetarëve të mërkurën.

Ajo shtoi se zoti Trump i admironte gjeneralët e Hitlerit sepse ai “nuk do një ushtri që është besnike ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, ai do një ushtri besnike ndaj tij. Ai dëshiron një ushtri që t'i jetë besnike atij personalisht."

Sondazhet tregojnë se gara mes dy kandidatëve është e ngushtë në shtetet që do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe si zoti Trump ashtu edhe Nënpresidentja Kamala Harris po bëjnë fushatë intensive për të bërë për vete votuesit e pavendosur.

Fushata e zonjës Harris ka bërë përpjekje të konsiderueshme për tërhequr votuesit e pavarur, duke përdorur mbështetjen e republikanëve si ish-ligjvënësja Liz Cheney dhe komente si ato të Gjeneralit Kelly për t'i nxitur votuesit që në të kaluarën kanë mbështetur zotin Trump, që të votojnë kundër kandidaturës së tij në nëntor.

Ekipi i fushatës së zonjës Harris mbajti një konferencë telefonike me gazetarët të martën për të nxjerrë në pah zërat e zyrtarëve ushtarakë në pension, të cilët theksuan se shumë prej zyrtarëve që kanë punuar me zotim Trump, tani e kundërshtojnë fushatën e tij.

“Njerëzit që e njohin më mirë, e kundërshtojnë më me forcë një presidencë të tij,” tha Gjenerali në pension, Steve Anderson.

Ai shtoi se do të donte të shihte që zoti Kelly të shprehet hapur që mbështet zonjë Harris para zotit Trump, diçka që ai ende nuk e ka bërë.

Por koloneli rezervist në pension i ushtrisë, Kevin Carroll, një ish-këshilltar i lartë i Gjeneralit Kelly, tha të mërkurën se ish-zyrtari i lartë i administratës "nuk do të votonte kurrë për Donald Trump-in".

Në intervistën e tij me gazetën New York Times, Gjen. Kelly tha se zoti Trump përmbushte përkufizimin e një fashisti. Ai citoi përkufizimin për fashizmin si "një ideologji dhe lëvizje politike autoritare, ultranacionaliste e ekstremit të djathtë, e karakterizuar nga një udhëheqës diktatorial". Zoti Kelly shtoi se Trump "pa dyshim bie brenda përkufizimit të përgjithshëm të një fashisti".

Gjen. Kelly shtoi se zoti Trump shpesh indinjohej nga çdo përpjekje për të kufizuar pushtetin e tij dhe se "ai do të donte të ishte" diktator. "Ai sigurisht preferon qasjen e një diktatori ndaj qeverisjes," tha zoti Kelly për New York Times.

Ai shtoi më pas se “unë mendoj se ai do të donte të ishte ashtu siç ishte në biznes – që të urdhëronte njerëzit të bënin gjëra dhe ata t'i bënin, dhe të mos shqetësohej shumë nëse një gjë e tillë ishte e ligjshme."

Gjen. Kelly nuk është ish-zyrtari i parë i lartë i administratës së zotit Trump që e ka cilësuar ish-presidentin si kërcënim. Gjenerali në pension Mark A. Milley, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë adminstratës së ish-Presidentit Trump i tha gazetarit Bob Woodward për librin e tij të fundit "Lufta" se zoti Trump ishte "fashist deri në palcë" dhe "personi më i rrezikshëm për këtë vend". ”

Ndërsa gjenerali në pension Jim Mattis, i cili punoi si Sekretar i Mbrojtjes nën zotin Trump, thuhet se i kishte thënë gazetarit Woodward se ishte dakord me vlerësimin e Gjen. Milley.

Gjatë gjithë ngritjes së tij politike, ish-Presidenti Trump ka gëzuar mbështetjen e veteranëve. Sipas AP VoteCast, rreth 6 në 10 veteranë ushtarakë thanë se votuan për të në vitin 2020, ashtu si edhe më shumë se gjysma e atyre që kishin një veteran në familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat