Sondazhet, historiku dhe interpretimi i tyre

Amerika

Sondazhet, historiku dhe interpretimi i tyre

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 21:24
Ilustrim

Në çdo fushatë zgjedhore për votuesit dhe kandidatët është e rëndësishme matja e opinionit publik.

Sondazhet u mundësojnë të gjithëve të kuptojnë dhe përshtaten me pikëpamjet mbizotëruese. Por, sondazhet kanë të meta.

Kur flasim për dominimin e një kandidati në një fushatë zgjedhore, flasim për sondazhet e opinionit publik.

Këto janë anketa profesionale me grupe të përzgjedhura votuesish - të cilat në kushte ideale përfaqësojnë elektoratin në tërësi.

Ka qindra organizata që bëjnë sondazhe, disa publike, ose në partneritet me mediat, të tjera private, të porositura nga partitë ose vetë kandidatët.

Metodat e tyre dallojnë, por thelbin e kanë të njëjtë: hartohet një pyetësor dhe regjistrohen përgjigjet.

Pyetjet variojnë nga më të thjeshtat si, “për kë do të votoni?”, në ato më të hollësishmet si “kujt i besoni për ekonominë?”, apo edhe “me cilin kandidat do të dëshironit të pinit një birrë?”.

Shembulli më i hershëm i një sondazhi modern është ai i një grupi gazetash në zgjedhjet e vitit 1824.

Dekada më pas, revista ‘Literary Digest’ monopolizoi sondazhet presidenciale, duke dërguar me postë miliona pyetësorë dhe duke renduitr në një tabelë përgjigjet e të anketuarve.

Por, matja e opinionit publik, siç e njohim sot, i ka fillimet në vitin 1935, kur George Gallup themeloi institutin amerikan të opinionit publik, që sot njihet si “Organizata Gallup”. Duke përdorur një mostër me vetëm 50 mijë votues ai parashikoi fitoren e Franklin Rooselevtit më 1936, gjë që ‘Literary Digest’, ndonëse pati 2 milionë të anketuar, nuk e bëri dot.

Gallupi e kuptoi se parashikimi nuk ka të bëjë me numrin e të anketuarve, por me përfaqësimin sa më të gjerë të votuesve në anketë.

Kjo nuk është e lehtë. Sfida kryesore është shmangia e ndikimit në rezultatin e aketës të së ashtuquajturës “njëanshmëri që natyrshëm anon nga ata që pranojnë t’i përgjigjen pyetjeve të anketës”. Sondazhet përmes postës, intervistës së drejpërdrejtë, ose përmes telefonit mund të çojnë në rezultate të ndryshme.

Shanset që votuesit në zona rurale të përgjigjen në telefon janë më të vogla krahasuar me ata në zonat urbane; dikur të pasurit kishin më shumë telefona sesa të varfërit. Sot sondazhet janë gjithnjë e më dixhitale, gjë që mund të ndikojë në mungesën e përfaqësimit të votuesve të moshuar.

Anketuesit po mundohen të ndryshojnë praktikat për të luftuar ‘nënpërfaqësimin’ ose ‘mbipërfaqësimin’ në mënyrë që rezultatet të jenë më të sakta. Mënyra se si parashtrohen pyetjet, po ashtu ka rëndësi.

Por, edhe me metodat më të avancuara, është e pamundur shmangia e gabimeve. Më 2016 shumica e sondazheve parashikonin humbjen e Donald Trumpit. Analistët thonë se kjo ndodhi për shkak se disa votuesve u vinte turp të pranonin se ishin mbështetës të zotit Trump.

Të tjerë kanë një shpjegim më të thjeshtë: sondazhet masin opinionin në një moment të caktuar dhe se varësisht nga ngjarjet, pikëpamjet e publikut mund të ndryshojnë.

Gjatë fushatave zgjedhore, kandidatët dhe publiku përmes sondazheve arrijnë të kuptojnë se kush po dominon në garë.

Por, sondazhet mund të krijojnë konfuzion, mund të jenë kontradiktore, por edhe të gabuara. Është një kombinim i artit dhe shkencës... që mund t’ju ngatërrojë nëse nuk dini çfarë të kërkoni.

Fituesi i zgjedhjeve zakonisht mësohet ditën e zgjedhjeve, ose menjëherë pas saj.

Sondazhet ofrojnë një parashikim se kush do të fitojë, bazuar në një mostër që përfaqëson votuesit.

Por, fakti që ato bazohen tek prirjet momentale, nënkupton se mund të jenë edhe të pasakta.

Më 2016, Sam Wang nga Universiteti Princeton ishte aq i sigurt në sondazhet që parashikonin fitoren e kandidates demokrate Hillary Clinton, saqë premtoi se do ta hante një insekt në transmetim të drejpërdrejtë në televizion, nëse ajo humbiste.

Dhe ai e bërë këtë gjatë një emision në CNN.

Sondazhi përmban në vetvete edhe shkallën e gabmit - një përqindje e rëndësishme statistikore, që tregon se në çfarë niveli mostra e përdorur në sondazh përfaqëson tërësinë e votuesve.

Sa më e vogël mostra, aq më e lartë shkalla e gabimit. Pra, teorikisht, një sondazh me të gjithë votuesit, nuk do të kishte asnjë përqindje gabimi.

Shkalla e gabimit prej plus ose minus 3 do të thotë se rezultati i një sondazhi mund të lëvizë brenda tre pikësh drejt njërit krah, apo tjetrit.

Kjo do të thotë se nëse një sondazh nxjerr një kandidat që kryeson me dy pikë dhe nëse shkalla e gabimit është plus ose minus 3, rezultati nuk është i besueshëm dhe nuk duhet të vini bast mbi të.

Nëse një kandidat udhëheq me 15 pikë dhe shkalla e gabimit është plus ose minus tre, kjo statistikë duhet të merret seriozisht - megjithëse mostrat e përsosura dhe bastet e sigurta nuk ekzistojnë.

Metodologjia mund të jetë më e ndërlikuar se kaq, madje duke përfshirë edhe matematikë të avancuar teorike.

Por në praktikë, anketuesit dhe shkencëtarët nganjëherë veprojnë me shpejtësi dhe lejojnë boshllëqe, gjë që në shumë raste ndikon në pasaktësinë e sondazheve.

Sondazhet individuale janë të dobishme, veçanërisht ato që përqëndrohen tek një çështje e caktuar dhe secila prej tyre është një tregues për gjendjen e një fushate.

Në fund të fundit, sondazhi është matësi më i mirë në dispozicion. Por, konteksti është i rëndësishëm.

Agjencia e lajmeve ‘New York Times’ dhe faqja ‘538.com’ grumbullojnë të dhëna nga sondazhe të shumta dhe krijojnë mesataren e tyre, duke ofruar një pamje më të përgjithshme të situatës.

Por edhe përmbledhja e mesatares së anketave të ndryshme mund të japë rezultate të gabuara, si në vitin 2016.

Megjithatë, ato janë një tregues më i saktë i prirjeve sesa sondazhet individuale. Me fjalë të tjera, nëse një kandidat po shënon rënie në disa sondazhe, kjo nuk do të thotë se sondazhet janë të sakta, por mund të arrini në përfundimin se kandidati nuk po ecën si më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat