Për prokurorin që po e heton, Trump shton akuzat: Smith është i çmendur, duhet të dëbohet nga SHBA-ja

Amerika

Për prokurorin që po e heton, Trump shton akuzat: Smith është i çmendur, duhet të dëbohet nga SHBA-ja

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 10:06
Smith, Trump

Donald Trump gjatë ditës së djeshme deklaroi se nëse fiton zgjedhjet në muajin nëntor, do ta shkarkonte prokurorin federal që po heton nëse ai ka tentuar të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, duke sugjeruar më vonë se këshilltari i posaçëm mund të dëbohej nga vendi.

Kur u pyet gjatë një interviste nëse do ta falte ose do ta shkarkonte këshilltarin e posaçëm, Jack Smith, ai u përgjigj “është shumë e lehtë. Do ta shkarkoja brenda dy sekondave”.

“Unë nuk mendoj se do të më akuzonin për shkarkimin e Jack Smithit”, tha 78-vjeçari, shkruan skynews.

Smith është duke udhëhequr çështjen penale federale kundër Trumpit rret përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi Joe Biden.

Në një intervistë tjetër për radion WABC, Trump shkoi më tutje duke deklaruar se duhet të dëbohet Smith.

Ai tha se SHBA-ja duhet të “heqë qafe vrasësit, kriminelët dhe ata me çrregullime mendore. Duhet t’i largojë nga vendi. Jack Smithin duhet ta hedhim me ta – njerëzit me çrregullime mendore. Jack Smith duhet konsideruar si një person me çrregullime mendore dhe duhet dëbuar nga vendi”, tha kandidati republikan për president të SHBA-së.

Smith është jurist me përvojë, i cili ka shërbyer si kryeprokuror në tribunalin ndërkombëtar në Hagë, ku ka hetuar dhe ka ndjekur penalisht krimet e supozuara të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në muajin nëntor të vitit 2022, prokurori i përgjithshëm Merrick Garland e emëroi Smithin si këshilltar të posaçëm të pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e dy hetimeve penale ndaj Trumpit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat