Kaliforni, stendat e fushatave rivale përpiqen të ulin tensionet politike

Amerika

Kaliforni, stendat e fushatave rivale përpiqen të ulin tensionet politike

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 20:07
Foto ilustrim

Në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë pak çështje për të cilat janë dakord mbështetësit e demokrates Kamala Harris dhe ata të republikanit Donald Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Genia Dulot na sjell historinë e dy banorëve në Kaliforninë Jugore, që shesin mallra me mesazhe politike dhe punojnë bashkë për të ulur tensionet mes klientëve të stendave të tyre partiake.

Kur demokratja nga Kalifornia, Sandra Robbie pa një stendë që shiste materiale të fushatës së kandidatit republikan Donald Trump, ajo u mërzit nga mungesa e pranisë së partisë së saj në komunitet dhe vendosi të hapte një stendë për kandidaten Kamala Harris.

"Ne kemi filluar të flasim për bindjet tona politike vetëm kohët e fundit. Më parë i mbanim për vete dhe jetonim me respekt për njëri-tjetrin. Por kur zoti Trump doli në skenë, gjithçka ndryshoi. Politika u bë si një garë sportive”, thotë ajo.

Qarku Orange në Kaliforni është një zonë e fortë republikane në këtë shtet me shumicë demokrate. Republikanët Elvie dhe Eddie Pantig nuk e pëlqejnë stendën e kandidates demokrate Kamala Harris.

"Nuk e duam këtë stendë këtu afër nesh, sepse qarku Orange supozohet të jetë republikan. Jo kaq afër njëri-tjetrit. Ndoshta në një cep tjetër, të ndarë, por jo së bashku", thotë Elvie Pantig.

Steve Lawrence, që shet mallra të fushatës së zotit Trump, thotë se në fillim kishte pak tension me demokraten Sandra Robbie, por përfundimisht ata ranë dakord të ndanin hapësirën.

"Nuk ka asnjë arsye që ne të mos jemi në gjendje ta shfrytëzojmë së bashku këtë hapësirë. Ne kemi mendime të ndryshme mbi çështjet politike, por nuk kemi nevojë që urrejtja të hyjë në pikëpamjet politike të partive tona. Ne mund të bashkëjetojmë pa patur nevojë të sillemi keq me njëri-tjetrit”, thotë ai.

Demokratja Susan Johnson thotë se të kesh dy stenda krah për krah është një ide e mirë.

"Mendoj se kjo është një gjë vërtet e zgjuar. Nëse njerëzit flasin me njëri-tjetrin, ata mund të gjejnë më shumë gjëra të përbashkëta”, thotë ajo.

Republikani Zaid Habaibeh thotë se stendat tregojnë se amerikanët mund të shkojnë mirë me njëri-tjetrin edhe kur nuk janë gjithmonë dakord për çështje të ndryshme.

"Kjo është liria, mund të shprehni mendimet tuaja dhe të flisni për atë që besoni. Unë ndjek rregullat e demokracisë në këtë vend. Ndërkohë, edhe pala tjetër mund të bëjë të njëjtën gjë”, thotë ai.

Demokratja Sandra Robbie dhe republikani Steve Lawrence thonë se janë bërë miq gjatë muajve të fundit dhe kujdesen për sigurinë e njëri-tjetrit. Ata thonë se shenja e tyre "Ju lutemi tregoni mirësjellje" ndihmon në uljen e tensioneve politike mes klientëve të tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat