FBI: Video ku grisen fletëvotimet në Pensilvani, dezinformim rus

Amerika

FBI: Video ku grisen fletëvotimet në Pensilvani, dezinformim rus

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 00:26
Foto ilustrim

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se janë aktorë rusë ata që fshihen pas videos false, të qarkulluar në mediat sociale, ku duket se votat e hedhura me postë për kandidatin republikan për president Donald Trump në shtetin Pensilvani, grisen.

Videoja u përhap në mediat sociale të enjten, por brenda tre orëve u përgënjeshtrua nga zyrtarët zgjedhorë dhe strukturat e zbatimit të ligjit, pasi u raportua nga anëtarë të publikut.

Në një deklaratë të qarkulluar nga FBI-ja, zyrtarët amerikanë thonë se ata besojnë se videoja “u prodhua dhe u shpërnda” nga aktorë rusë. Zyrtarët thanë se ishte “në kuadrin e një përpjekjeje më të gjerë nga Moska për të ngritur pikëpyetje të pabaza për integritetin e zgjedhjeve amerikane dhe për të ngjallur ndasi mes amerikanëve”.

Deklarata mbështetet nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, FBI-ja dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën.

Bordi i Zgjedhjeve i Qarkut Bucks në Pensilvani e identifikoi videon si false të enjten, duke thënë se zarfi dhe materialet e tjera të paraqitura në video “janë materiale qartësisht jo-autentike që nuk i përkasin bordit dhe që nuk janë shpërndarë nga bordi”.

Reagimi i menjëhershëm ndaj videos së inskenuar tregon se si zyrtarët zgjedhorë kanë mësuar të veprojnë me shpejtësi kundër varianteve false gjatë katër viteve të fundit, që kur një pjesë e madhe e votuesve amerikanë filloi të tregojë mosbesim ndaj procesit të votimit në vitin 2020. Megjithatë, një imitim i detajuar i fletëvotimeve në një qark të rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale të këtij viti është një sinjal alarmues që demonstroi se sa të angazhuar janë aktorët e huaj për të dëmtuar besimin tek procesi elektoral amerikan në ditët e fundit të procesit zgjedhor.

Në video shfaqet një person që shqyrton votat e dërguara me postë në Qarkun Bucks. Personi në video, i cili duket të jetë afrikano-amerikan, shfaqet duke grisur votat e hedhura për ish-Presidentin Trump, ndërsa lë pa prekur mënjanë votat e hedhura për Nënpresidenten Kamala Harris.

Studiuesit që hulumtojnë nga afër fushatat ruse të influencimit e patën lidhur me parë videon me një rrjet rus të dezinformimit, të njohur me emërtimin Storm-1516, ose CopyCop. Ky rrjet pati shpërndarë më herët video të shumta me pretendime false për kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris dhe kandidatin demokrat për nënpresident Tim Walz.

Darren Linvill, studiues në Universitetin Clemson që e ka ndjekur nga afër këtë grup, tha se i njëjti përdorues që shpërndau videon për Qarkun Bucks në platformën sociale X kishte përhapur më parë disa histori false, duke filluar nga gushti 2023.

Stili dhe paraqitja e videos më të fundit përputhet me videot e tjera nga po ky rrjet, thotë zoti Linvill.

Në video shfaqet një aktor afrikano-amerikan me një theks të huaj. Kjo mund të ketë qenë një përzgjedhje e qëllimshme si një mënyrë për të nxitur ndasitë ekzistuese në Shtetet e Bashkuara, thotë Josephine Lukito, ndihmës profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Teksasit në Austin, që ka hulumtuar rreth dezinformimit rus.

Është një strategji e zakonshme për videot që vijnë nga Rusia, thotë ajo.

“Synon të amplifikojë racizmin, apo jo?”, thotë zonja Lukito. “Po zhvillohet tashmë një debat për votim të paligjshëm nga emigrantët, apo për emigracionin më gjerësisht. Dezinformimi rus absolutisht që shfrytëzon këtë”.

Pasi u hodh poshtë vërtetësia e videos, përdoruesi në rrjetin X që e publikoi atë, më pas fshiu postimin e tij origjinal dhe shpërndau postime të shumta nga llogari të tjera duke e cilësuar atë si të rreme.

America PAC, një organizatë e aksionit politik e krijuar nga miliarderi dhe pronari i rrjetit X, Elon Musk, për të mbështetur kandidimin për herë të dytë për president të zotit Trump, ishte ndër ata që denoncuan videon – një kontrast i fortë me keqinformimin që përhapet shpesh në rrjetin X. America PAC nuk pranoi t’i përgjigjet një kërkese për komente të mëtejshme.

Kishte të dhëna të shumta që menjëherë treguan se videoja për Qarkun Bucks ishte e fabrikuar. Për shembull, sipas ligjit të Pensilvanisë, zyrtarët zgjedhorë duhet të presin deri në orën 7 të mëngjesit në ditën e zgjedhjeve përpara se të fillojnë të përpunojnë fletëvotimet e nisura me postë dhe t'i përgatisin ato për t'u numëruar.

Aspekte të tjera kishin të bënin me ngjyrën jeshile të errët në anën e majtë të pjesës së jashtme të zarfeve – që në fakt duhet të ishte një jeshile më e çelët - si dhe shkëlqimi i zarfeve të brendshëm dhe të jashtëm, që në realitet duhet të kenë një material mat. Gjithashtu, në asnjë nga zarfet në video nuk ishin shkruar adresat e votuesve.

Ankesat e qytetarëve nga mbarë qarku Bucks dhe një telefonatë nga shefi i policisë në kontenë Yardley shërbyen si një lajmërim për prokuroren e qarkut, Jennifer Schorn se videoja po qarkullonte në internet. Zonja Schorn ishte në një konferencë gjyqësore të enjten dhe u informua më pas për videon.

“Menjëherë në atë moment, filluam ta hetojmë videon dhe arritëm në përfundimin tonë se ajo ishte në fakt e fabrikuar”, tha ajo në një intervistë nëpërmjet telefonit të premten.

Prokuroja Schorn hezitoi të përshkruajë se si autoritetet arritën në këtë përfundim, duke përmendur shqetësimet se këta aktorë në të ardhmen mund të përmirësojnë taktikat e tyre. Ajo tha se zyra e saj ka caktuar dy prokurorë për të shqyrtuar akuzat për mashtrim dhe se ata do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.

Republikanët dhe demokratët në këtë qark e quajtën videon false dhe shprehën shqetësimin se si ajo mund të ndikojë në zgjedhje.

"Për ne, ky është dezinformim, që synon të trembë votuesit dhe t'i dekurajojë ata nga dërgimi i fletëvotimeve me postë", u shpreh në një deklaratë Komiteti Republikan i Qarkut Bucks. “Kemi parë taktika të ulëta këtë vit, që nga prishja e shenjave informuese, letrat që kërcënojnë mbështetësit e Trump-it dhe tani kjo video që përpiqet të trembë votuesit e Qarkut Bucks”.

Senatori i Pensilvanisë, Steve Santarsiero, kryetar i Komitetit Demokrat të Qarkut Bucks, e quajti videon një përpjekje për të "hedhur dyshime mbi votën tonë përmes sistemit të postës dhe, në fund të fundit, rezultatin e zgjedhjeve presidenciale".

Zyrtarët thanë se ishin zemëruar nga shpejtësia me të cilën është përhapur ky dezinformim dhe disa falsitete të tjera të dëmshme gjatë këtij cikli zgjedhor.

"Nuk i fajësoj aspak amerikanët që duan të sigurohen se sistemit mund t'i besohet", tha prokurorja Schorn. "Nuk i fajësoj për këtë sepse, për fat të keq, ju e dini që ka subjekte kriminale që dëmtojnë proceset. U ndjeva më e sigurtë dje. M’u duk sikur (sistemi) funksionoi siç duhet”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat