Votuesit e ri që marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale quhen ndryshe gjenerata Z. Mosha e tyre varion nga 18-27 vjeç. Nga marrja e njohurive mbi procesin zgjedhor, deri tek angazhimi për të dalë derë më derë për të kërkuar mbështetje për kandidatët presidencialë, shumë të rinj po përqafojnë procesin e votimit. Korrespodentja Zërit të Amerikës, Laurel Bowman sjell më shumë hollësi mbi rolin e tyre.
Studentë aktivistë në Kolegjin Montgomery në Rokvill të shtetit të Marilendit, organizuan një sesion për edukimin e votuesve për zgjedhjet e 5 nëntorit me pjesëmarrjen e zyrtarëve zgjedhorë.
Një lëvizje e tillë, është një përpjekje për t’i përgatitur të rinjtë që të votojnë në zgjedhjet presidenciale
“ Synimi sot ishte edukimi i votuesve dhe që njerëzit të shohin se si zhvillohet procesi në qendrat e votimit…”
Pjesëmarrësit si Akhyan Damang e vlerësuan nismën.
“Thjesht doja të shihja se si është të votosh herën e parë. Do të jetë hera e parë që votoj për zgjedhjet presidenciale dhe doja të shihja procedurën.”
Këta votues të rinj janë të shqetësuar për një sërë çështjesh.
“Më shqetëson çështja e borxhit. Nuk e kuptoj shumë mirë, por më duket se është borxhi i lartë dhe nuk e kuptoj pse”.
“Ndryshimet klimatike dhe aborti janë çështje me rëndësi”.
“Roli i Amerikës në botë është një çështje shumë e rëndësishme veçanërisht për votuesit e rinj.”
Shumica e studentëve nuk treguan se për kë do të votonin në garën mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris.
Por shteti i Merilendit, një bastion i demokratëve, pritet të votojë për Kamala Harrisin.
Zëri i Amerikës pyeti drejtuesen e republikantëve të rinj në shtetin e Xhorxhias, Jacquelyn Harn, se cilat çështje kanë rëndësi për bashkëmoshatarët e saj republikanë. Sipas saj, për shumë prej tyre, rëndësi ka ekonomia.
“Mes kostove për shtëpitë, rritjes së çmimeve për ushqime dhe karburantit është e papërballueshme të jetosh dhe të kesh një familje tani”, shprehet ajo.
Por si duhet t’u qasen votuesve të rinj ekipet e fushatave?
“ Ne jemi brezi i mediave sociale. Ne shohim çdo gjë në mediat sociale. I marrim lajmet prej aty”, thotë Jacquelyn Harn
Të njëjtin mendim ka edhe Harry Sisson, videot e të cilit kanë shumë ndjekës në mediat sociale.
“Unë do të thosha se aplikacioni kryesor i lajmeve për të rinjtë është ndoshta rrjeti TikTok. Kjo është platforma ime kryesore. Kjo sepse është e lehtë për ta marrë informacionin, shumë lajme në TikTok janë nga 30 deri në 60 sekonda”, tregon ajo.
Ndërkohë, në qytetin Herndon, në shtetin e Virxhinias, mbështetësja e Kamala Harrisit, Camila Alfonzo Meza shkon shtëpi më shtëpi për të nxitur njerëzit që të votojnë për kandidaten demokrate. Njerëzit jo gjithmonë e hapin derën, por ajo nuk dorëzohet.
Ajo thotë se zëvendësimi i Joe Bidenit nga Kamala Harrisi në garën presidenciale shtoi energjinë tek të rinjtë demokratë.
"Kam parë një ndryshim të madh në energjinë dhe entuziazmin e të rinjve që kur Kamala Harrisi mori emërimin", shprehet Camila Alfonzo Meza.
Camila Alfonzo Meza mendon se elektorati i gjeneratës Z prej mbi 40 milionë të rinjsh mund të ketë rol shumë të madh në zgjedhjet presidenciale./VOA