A do të rikthehet Melania Trump si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara?

Amerika

A do të rikthehet Melania Trump si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara?

Më: 31 tetor 2024 Në ora: 20:18
Donald dhe Melania Trump

Modelja e suksesshme sllovene që u bë Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u vendos në qendër të vëmendjes që kur bashkëshorti i saj, Donald Trump, u zgjodh president në vitin 2016. Me mundësinë që Melania Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim jetës së saj dhe disa pritshmërive lidhur me të.

Prindërit e quajtën Melania Knavs.

Bota tani e njeh atë si ish-zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Ajo ka lindur më 26 prill 1970 në Novo Mesto, Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.

Melania Knavs ishte megjithatë e interesuar për modën, kujton ish-shoqja e saj e shkollës, Mirjana Jelancic.

"Asaj i pëlqente gjithashtu të krijonte veshje të reja nga ato të vjetra", thotë zonja Jelancic.

Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara.

“Si një modele mode dhe dikush që ftohej shpesh në festat luksoze në Nju Jork, me sa kuptoj kështu u takua me Donald Trump-in”, thotë profesorja e historisë Katherine Jellison, nga Universiteti i Ohajos.

Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.

Jeta e Melania Trump-it mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale.

“Është e mrekullueshme të jem këtu sot me ju dhe me bashkëshortin tim. Jam shumë krenare për të”, tha ajo në atë kohë.

Donald Trump-i bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 2017.

Si zonja e parë, Melania Trump bëri udhëtime në mbarë botën

dhe ndërmori projekte si fushata "Bëhu më i miri" që fokusohet në mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në internet dhe abuzimin me opioidet.

Ajo mbajti një profil më të ulët se shumë zonja të para, por u përball megjithatë me një vëmendje intensive nga mediat, vëren profesorja Jellison.

“U kritikua nga disa qarqe për zgjedhjet e saj të modës, për vendimin e saj për të mos u zhvendosur menjëherë në Shtëpinë e Bardhë, për fushatën e saj ‘Bëhu më i miri’, që nuk ishte një nga projektet më të suksesshme të shërbimit publik nga një zonjë e parë”, thotë profesorja Jellison.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump praktikisht u largua nga sytë e publikut.

Ajo është rishfaqur herë pas here për të mbështetur kandidaturën e bashkëshortit të saj për rizgjedhje. Dhe për të reklamuar librin e saj me kujtime.

“Shkrimi i këtyre kujtimeve ka qenë një udhëtim thellësisht personal dhe reflektues për mua”, tha zonja Trump.

Votuesi nga shteti Wisconsin, Austin Smith votoi për kandidatin republikan Donald Trump në vitin 2016. Ai shprehu shpresat e tij për rikthimin e mundshëm të Melania Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Do të doja që ajo të merrej ndoshta me disa projekte për kafshët shtëpiake. Një gjë për të cilën jam shumë i apasionuar është p.sh. çështja e ushqimit në shkolla”, thotë votuesi Austin Smith.

Votuesja demokrate Jasleen Kaur do të donte që Melania Trump të ishte një "zonjë e parë me ndikim".

“Dalja dhe bisedimi me komunitetet urbane, dalja në të gjithë vendin duke e bërë veten të njohur, jo vetëm si një figurë që qëndron pas presidentit, por si një grua me një lloj pushteti”, thotë votuesja Kaur.

Analistja Jellison, megjithatë, mendon se si një zonjë e parë në mandatin e dytë, Melania Trump ndoshta do të vazhdonte, në pjesën më të madhe, t'i shmangej vëmendjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat