Demokratët janë duke përgatitur një përgjigje të shpejtë për të mbushur rrjetet sociale dhe mediat me thirrje për qetësi dhe durim në numërimin e votave, nëse Donald Trump përpiqet të shpallë fitore para kohe, siç bëri në vitin 2020.
Këto komente i thanë për Reuters zyrtarë të fushatës së Harris dhe të partisë.
Trump shprehu shpresën se do të mund të shpallë fitore në Ditën e Zgjedhjeve, por ekspertët e zgjedhjeve paralajmërojnë se rezultatet përfundimtare mund të zgjatin disa ditë, sidomos nëse kërkohen ri-numerime votash në disa zona kyçe.
Ai është në një garë shumë të ngushtë me rivalen e tij demokratike, Kamala Harris.
Fituesit e zgjedhjeve zakonisht shpallen nga mediat kryesore që analizojnë numrat e votave të dhëna nga zyrtarët e zgjedhjeve.
Ndërsa kandidatët ndonjëherë shpallin fitore përpara se të bëhen këto njoftime, është e pazakontë ta bëjnë këtë përpara se të duket qartë kush është fituesi.
Harris tha se janë të gatshëm të reagojnë nëse Trump shpall fitore para kohe, duke shtuar se janë të përgatitur për të ndikuar në opinionin publik.
Zyrtarët demokratë planifikojnë të mbushin mediat me kërkesa për të numëruar të gjitha votat përpara se të shpallen fitoret.
Një zyrtar i lartë i Komitetit Kombëtar Demokratik tha se sa herë që Trump shpall fitore të pavërtetë, ata janë të gatshëm të dalin në televizion dhe të ofrojnë të vërtetën.
Një zyrtar i fushatës së Harris tha se ata presin që Trump të shpallë fitore të pavërtetë në mbrëmjen e zgjedhjeve.
Në vitin 2020, Trump shpalli veten fitues në orët e para pas Ditës së Zgjedhjeve, tri ditë përpara se televizionet të bënin njoftimin.
Ai përfundimisht humbi ndaj Joe Biden dhe nuk e pranoi kurrë rezultatin, duke vazhduar të thotë se zgjedhjet ishin vjedhur.
Një aleat i Trumpit, Steve Bannon, sugjeroi që Trump duhet të shpallë shpejt fitore, duke thënë se ai duhet të qëndrojë dhe të deklarojë, “Hej, kam fituar këtë.”
Fushata e Trumpit tha se ai do të luftojë për çdo votë deri në mbylljen e kutive, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse ai planifikon të shpallë fitore para se gara të përfundojë.
Një donator i Trumpit, Bill Bean, shpreson që ose Harris ose Trump të fitojnë me diferenca të mëdha, për të siguruar që rezultatet të pranohen nga sa më shumë njerëz, shkruan Reuters.