Partia Demokratike është e gatshme për një skenar ku Donald Trump do të shpallte para kohe fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Në vitin 2020, në ditën e zgjedhjeve, republikani shpalli fitoren, megjithëse komisionet lokale të zgjedhjeve mohuan që fituesi të dihej përpara se të numëroheshin të gjitha votat.
Në atë kohë, Joe Biden, i cili ishte kandidat për presidencën e SHBA-së, mori një numër të madh votash me postë, kryesisht për shkak të pandemisë së virusit COVID-19, e cila e zgjati ndjeshëm procesin dhe në thelb fitorja u konfirmua katër ditë pas zgjedhjeve.
Demokratët, shkruan reuters, tashmë janë të përgatitur për këtë skenar gjatë zgjedhjeve të këtij viti dhe do të “vërshojnë” rrjetet sociale me kërkesa që situata të qetësohet dhe çdo votë të numërohet para se të shpallet fituesi.
Në SHBA, fituesi shpallet joformalisht nga shtëpitë mediatike, të cilat në bazë të informacioneve nga qendrat e numërimit dhe mjeteve të tyre analitike bëjnë vlerësime se kush është fituesi përfundimtar.
Vlen gjithashtu të theksohet fakti se Trump vazhdon të pretendojë, pa prova, se ai fitoi garën zgjedhore në vitin 2020 dhe se analistët kanë frikë se, në rast humbjeje, mund të ketë trazira si ato të 6 janarit 2021 kur mbështetësit e 78-vjeçarit hynë me forcë në ndërtesën e Kongresit amerikan.
Zgjedhjet për presidentin e ri amerikan do të mbahen më 5 nëntor. Edhe pse një pjesë e mirë e shteteve federale do të kenë rezultatet e tyre tashmë atë natë, disa mund të presin deri në shtatë ditë, për shkak të masave të ndryshme të sigurisë dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor.