Vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, shërbimet e inteligjencës paralajmërojnë për një fushatë dezinformimi që vjen nga Rusia.
Shërbimet e inteligjencës akuzuan Rusinë për një video që "tregon në mënyrë të rreme individë që pretendojnë se janë nga Haiti dhe votojnë ilegalisht në shumë qarqe në shtetin amerikan Xhorxhia.
Një tjetër video e rreme akuzoi "një individ të lidhur me kandidatët demokratë për marrjen e ryshfeteve nga një artist amerikan".
Shërbimet e inteligjencës nuk dhanë detaje të tjera në deklaratën e tyre. Por mediat amerikane thanë se videoja, e cila filloi të qarkullonte në fund të kësaj jave, pretendonte se zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe burri i saj morën 500 mijë dollarë ryshfet nga këngëtari Sean Diddy Combs.
Në një deklaratë të përbashkët, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) fajësuan "aktorët rusë të ndikimit" për videot.
Shërbimet thanë se rastet individuale i përkasin "përpjekjeve më të gjera" të Moskës "për të vënë në dyshim në mënyrë të pabazuar integritetin e zgjedhjeve amerikane dhe për të nxitur ndarjen midis amerikanëve".
Sekretari i Shtetit Xhorxhia, Brad Raffensperger, përgjegjës për zgjedhjet në një nga shtetet kyçe, tha se videoja "është e rreme dhe ilustron dezinformimin e synuar. Është e mundshme ndërhyrje e huaj që synon të përhapë mosmarrëveshje dhe kaos përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024”.
Raffensperger i bëri thirrje pronarit të X, Elon Musk dhe drejtuesve të platformave të tjera sociale që ta heqin videon.
Videoja u postua fillimisht nga një llogari anonime përdoruesi e raportuar më parë për përhapjen e dezinformatave, e cila dyshohet të jetë me origjinë ruse. Më pas, videoja është fshirë.