Demokratja Kamala Harris zhvilloi takimin përmbyllës në Detroit të Miçiganit, në një kishë afrikano-amerikane, ndërsa rivali i saj republikan Donald Trump mbajti një tubim zgjedhor në Pensilvani.
Anketimet tregojnë se gara mes tyre është tepër e ngushtë. Nënpresidentja Harris, 60 vjeç, ka forcuar mbështetjen mes votueseve gra, ndërsa ish-Presidenti Trump, 78 vjeç, po fiton terren tek votuesit hispanikë, veçanërisht burra.
Mbi 76 milionë amerikanë kanë votuar përmes votimit të hershëm, sipas të dhënave të Laboratorit të Zgjedhjeve në Universitetin e Floridës, thuajse gati gjysma e 160 milionë votave që u hodhën në zgjedhjet e 2020.
Në 5 nëntor pritet të përcaktohet edhe kontrolli i Kongresit. Republikanët janë në një pozicion më të favorshëm për të fituar shumicën në Senat, ndërsa demokratët mund të kenë mundësinë të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Presidentët që nuk kanë patur kontroll tek të dyja dhomat e Kongresit kanë patur vështirësi për të kaluar projektligjet me rëndësi për agjendat e tyre, gjatë dekadës së fundit.
"Pas dy ditësh do të kemi fuqinë të vendosim për fatin e vendit tonë për brezat që do të vijnë", tha demokratja Harris në fjalimin e saj në Detroit. "Ne duhet të veprojmë. Nuk mjafton vetëm të lutemi, nuk mjafton vetëm të flasim. Ne duhet të veprojmë sipas planeve që Ai (Zoti) ka përgatitur për ne dhe duhet t'i kthejmë në realitet nëpërmjet veprave tona, zgjedhjeve tona të përditshme, në komunitetet, në demokracinë tonë”.
Në tubimin e tij të parë, nga tre gjithsej të dielën, ish-Presidenti Trump nuk iu përmbajt fjalimit të parapërgatitur dhe komentoi me tone kritike sondazhet që tregonin për rritje të mbështetjes për zonjën Harris. Ai e cilësoi Partinë Demokrate “parti djallëzore”, bëri shaka për mënyrën se si raportuan mediat kur atij iu bë atentat dhe u tall me presidentin demokrat Joe Biden.
"Duhet të dini vetëm një gjë, gjithçka që shkatërroi Kamala ne do ta rregullojmë", tha zoti Trump. Ndërsa kritikoi vazhdimisht procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, ai shtoi se "është një turp i madh dhe unë jam i vetmi që flas për këtë, sepse të gjithë kanë frikë të flasin mbi këtë".
Zoti Trump më vonë do të mbajë tubime elektorale në Kinston të Karolinës së Veriut dhe Mejkën të Xhorxhias. Nga shtatë shtetet vendimtare, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut renditen të dytat sa i përket numrit të elektorëve zgjedhorë, secili prej tyre ka 16 nga 270 votat që i nevojiten një kandidati për të fituar Kolegjin Zgjedhor. Pensilvania ka 19 elektorë.
Analistët jopartiak të zgjedhjeve mendojnë se zonjës Harris do t'i duhej të fitonte rreth 45 vota elektorale në shtatë shtetet e lëkundura për të fituar Shtëpinë e Bardhë, ndërsa zoti Trump do të kishte nevojë për rreth 51, nëse merren parasysh shtetet ku ata pritet të fitojnë lehtësisht.
Vështirësitë për demokraten Harris në Miçigan
Zonja Harris do të bëjë fushatë edhe në qytetin Ist Lensing, të Miçiganit. Demokatët e shohin si domosdoshmëri fitoren në këtë shtet. Ajo përballet me skepticizëm nga një pjesë e komunitetit prej afro 200 mijë arabo-amerikanësh në këtë shtet, të cilët janë të zemëruar që Nënpresidentja aktuale nuk ka vepruar më shumë të bërë të mundur dhënien fund të luftës në Gazë dhe për të reduktuar ndihmën për Izraelin. Zoti Trump vizitoi të premten qytetin Dirborn, qendrën e komunitetit arabo-amerikan dhe u zotua t'i japë fund luftërave në Lindjen e Mesme.
Zonja Harris, e cila është ka zhvilluar takime me dyer të mbyllura me udhëheqës të zgjedhur arabo-amerikanë dhe myslimanë, do të përqendrojë energjinë e saj në lagjet e afrikano-amerikanëve të dielën.
Samah Noureddine, 44 vjeçe, një amerikano- libaneze nga Gros Il, një qytet afër Detroitit, tha se ajo votoi për Bidenin në vitin 2020, por këtë vit do të votojë për Jill Stein, kandidaten për presidente të Partisë së Gjelbër. “Jam e mërzitur sepse Harrisi po mbështet financiarisht gjenocidin dhe edhe nëse fiton Trumpi po ashtu do të vuajmë”, tha ajo. “Jam e lodhur nga të dy”.
Në ditët e fundit të fushatës, zonja Harris është përpjekur të bindë votuesit se do të ulë koston e jetesës, një shqetësim kryesor ndërsa prej vitesh amerikanët janë përballur me inflacion. Ajo gjithashtu e ka portretizuar zotin Trump si të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm dhe u ka bërë thirrje amerikanëve që të shkëputen siç thotë ajo, nga qasja përçarëse e zotit Trump.
"Ne kemi një mundësi në këto zgjedhje që të lëmë pas një dekadë gjatë së cilës Donald Trumpi është përpjekur të krijojë ndasi dhe frikësim mes njëri-tjetrit. Kjo kohë ka ikur", tha ajo në tubimin në Karolinën e Veriut të shtunën.
Republikani Trump ka argumentuar se zonja Harris, si Nënpresidente, duhet të mbahet përgjegjëse për çmimet në rritje dhe nivelin e lartë të emigracionit gjatë viteve të fundit, që ai e konsideron si kërcënim për vendin.
"E vetmja ndihmë falas që ata (emigrantët) do të marrin është një udhëtim falas për t’u kthyer në vendin e tyre", tha ai në një tubim në Karolinën e Veriut të shtunën.