5 arsye pse fiton Donald Trump

Amerika

5 arsye pse fiton Donald Trump

Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 06:51
Donald Trump

1. Ai nuk është në pushtet

Ekonomia është çështja më e rëndësishme për votuesit, dhe ndërsa papunësia është në nivele të ulëta dhe bursa po lulëzon, shumica e amerikanëve thonë se po luftojnë me çmime më të larta çdo ditë.

Nivelet e rritura të inflacionit që nuk janë parë që nga vitet 1970 si pasojë e pandemisë, i kanë dhënë Trumpit mundësinë të ngrejë pyetjen: “A je më mirë tani sesa ishe katër vjet më parë?”

Në vitin 2024, votuesit në mbarë botën e kanë rrëzuar disa herë nga pushteti partinë në pushtet, pjesërisht për shkak të kostos së lartë të jetesës pas Covid-it. Edhe votuesit amerikanë duken të uritur për ndryshim.

Vetëm një e katërta e amerikanëve thonë se janë të kënaqur me drejtimin në të cilin po shkon vendi dhe dy të tretat kanë një perspektivë pesimiste mbi ekonominë.
Harris është përpjekur të paraqitet si kandidate për ndryshim, por si zëvendëspresidente e ka patur shumë të vështirë të distancohet Joe Biden, presidenti jo shumë popullor.

2. Ai duket i paprekshëm nga lajmet e këqija

Pavarësisht nga pasojat e trazirave të 6 janarit 2021 në Kongresin e SHBA, një sërë aktakuzash dhe një dënimi të paprecedentë penal, mbështetja për Trumpin ka mbetur e qëndrueshme gjatë gjithë vitit, në 40% ose më lart.

Ndërsa demokratët dhe konservatorët e grupit “Never-Trump” thonë se ai nuk është i përshtatshëm për postin, shumica e republikanëve pajtohen kur ish presidenti thotë se është viktimë e një gjuetie shtrigash politike.
Me këtë përçarje, atij i duhet thjesht të fitojë një pjesë të vogël për të mjaftueshme të votuesve të pavendosur.

3. Paralajmërimet e tij për imigracionin e paligjshëm gjejnë jehonë

Përtej gjendjes së ekonomisë, zgjedhjet shpesh vendosen nga një çështje e cila ka tërheqje emocionale.

Demokratët shpresojnë se kjo çështje është aborti, ndërsa Trumpi “vë bast” se ajo është imigrimi.

Pasi prurjet në kufi shënuan nivele rekord nën presidentin Biden, dhe fluksi i tyre ndikoi edhe në shtetet që janë larg kufirit, sondazhet sugjerojnë se votuesit i besojnë më shumë Trumpit për imigracionin. Dhe ai duket se do të ketë më shumë mbështetje mes latinëve, sesa në zgjedhjet e mëparshme.

4. Shumë më tepër njerëz nuk kanë një diplomë, sesa kanë

Thirrja e Trump për votuesit që ndihen të harruar dhe të lënë pas dore, ka transformuar politikën amerikane duke i kthyer zonat elektorale tradicionalisht demokrate, si për shembull punëtorët e sindikatave, në republikanë, duke e bërë pothuajse normë mbrojtjen e industrisë amerikane nga tarifat.

Nëse ai ia del të rrisë pjesëmarrjen në votime në zonat rurale dhe periferike të shteteve që janë me rezultat të ngushtë, kjo mund të kompensojë humbjen e republikanëve të moderuar dhe të arsimuar.

5. Ai shihet si një njeri i fortë në një botë të paqëndrueshme

Kundërshtarët e Trumpit thonë se ai minon aleancat e Amerikës duke u afruar me liderët autoritarë.

Megjithatë, ish-presidenti e sheh paparashikueshmërinë e tij si një pikë të fortë, dhe thekson se asnjë luftë e madhe nuk filloi kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Shumë amerikanë janë të zemëruar, për arsye të ndryshme, me SHBA-të që dërgojnë miliarda në Ukrainë dhe Izrael – dhe mendojnë se Amerika është më e dobët nën presidentin Biden.

Shumica e votuesve, veçanërisht burrat që Trump i ka tërhequr përmes podkasteve si ai i Joe Rogan, e shohin Trumpin si një udhëheqës më të fortë se Kamala Harris. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat