LIVE: Zgjedhjet presidenciale/ Çfarë thonë exit poll-et e para?

Amerika

LIVE: Zgjedhjet presidenciale/ Çfarë thonë exit poll-et e para?

Nga: Bota sot Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 07:30 Përditësuar në ora: 00:49 më 06.11.2024
Kamala Harris dhe Donald Trump

Sondazhi i CNN: Më shumë votues kanë pikëpamje pozitive për Harris sesa për Trump

Afërsisht 46% e votuesve kanë një mendim pozitiv për Nënpresidenten Kamala Harris, por jo për ish-Presidentin Donald Trump, sipas rezultateve fillestare të sondazhit kombëtar të daljes nga CNN për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, ndërsa një pjesë pak më e vogël – rreth 42% – kanë një mendim pozitiv për Trumpin, por jo për Harris.

Rreth 8% e votuesve në nivel kombëtar kanë mendime negative për të dy kandidatët, pak më shumë se në vitin 2020, por më pak se 18% në vitin 2016.

Afërsisht gjysma e votuesve thonë se Trump, por jo Harris, është tepër ekstrem, ndërsa rreth 36% thonë se vetëm Harris është tepër ekstreme, 8% thonë se të dy kandidatët janë të tillë, dhe 5% mendojnë se asnjëri nuk është.

Afërsisht gjysma e votuesve thonë se do të ndiheshin optimistë ose të entuziazmuar nëse Harris fiton, ndërsa pjesa tjetër thotë se do të ndiheshin të shqetësuar ose të frikësuar; këto shifra janë të ngjashme për një fitore të Trumpit.

Nis mbyllja e vendvotimeve në disa shtete

Qendrat e para të votimit në SHBA janë mbyllur tashmë në shtetet e Indianës dhe Kentakit.

Të fundit do të mbyllen në orën 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.

Çfarë thonë exit poll-et e para?

Exit poll-et në SHBA nuk parashikojnë drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve, por krijojnë një pasqyrë të opinioneve dhe motivimeve të votuesve.

CBS raporton se gjendja e demokracisë dhe ekonomia kanë qenë çështjet kryesore për të gjithë votuesit.

Nga ata që votuan për Harrisin:

-Gati gjashtë në 10 persona e renditën gjendjen e demokracisë si çështjen e tyre numër një;

-Rreth një në pesë persona e renditi abortin si numër një;

-Pak më shumë se një në 10 zgjodhi ekonominë.

Nga ata që votuan për Trumpin:

-Gjysma thanë se ekonomia ishte çështja e tyre numër një;

-Një në pesë tha se migracioni ishte çështja kryesore;

-Pak më shumë se një në 10 persona tha se rendit gjendjen e demokracisë si çështjen numër një./REL

Në radhë për të votuar...

Derisa kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri në mbylljen e qendrave të votimit në SHBA, në disa shtete shihen radhë njerëzish që presin për të votuar.

Kjo pamje vjen nga Pasadena e Kalifornisë:

Image

Kur mbyllen qendrat e votimit?

Qendrat e votimit mbyllen në kohë të ndryshme në të gjithë SHBA-në.

Të parat mbyllen në orën 18:00, që me orën e Kosovës i bie në mesnatë, ndërsa të fundit mbyllen në 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor./REL

Ku dhe si dallojnë Harris dhe Trump?

Harris dhe Trump kanë pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e SHBA-së, që është fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë.

Shikojeni këtë video për të kuptuar se ku dhe si dallojnë ata!

Harris u bën thirrje amerikanëve “të dalin dhe të votojnë”

Derisa kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në mbylljen e vendvotimeve, kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, u bëri thirrje amerikanëve që “të dalin dhe të votojnë”.

“Duhet ta bëjmë atë. Sot është dita e votimit dhe njerëzit duhet të dalin dhe të jenë aktivë”, tha ajo për radio-stacionin WVEE-FM të Atlantës.

Nënpresidentja aktuale njoftoi të dielën se ka votuar, duke dërguar fletëvotimin me postë në shtetin e saj të Kalifornisë.

“Unë sapo e kam dërguar fletën time të votimit me postë”, u tha gazetarëve Harris, teksa bënte fushatë në shtetin e Miçiganit.

Nëse fiton, Harris do të bëhej presidentja e parë grua e SHBA-së./REL

SHBA nën alarm në ditë zgjedhjesh, FBI përcakton kërcënime nga Rusia

Të martën, FBI njoftoi se kërcënimet me bombë ndaj qendrave të votimit në disa shtete të SHBA-së duket se kanë origjinën nga adresa elektronike me domenë ruse.

Agjencia theksoi se deri tani, asnjë nga këto kërcënime nuk është përcaktuar si kërcënim i besueshëm.

”Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimet me bombë ndaj qendrave të votimit në disa shtete, shumë prej të cilave duket se origjinë kanë domenet ruse. Asnjë nga këto kërcënime nuk është përcaktuar si të besueshëm deri më tani”, deklaroi FBI.

CNN raportoi më herët se zyrtarët e inteligjencës amerikane po shqyrtojnë një llogari elektronike me një domen rus si burim të mundshëm të këtyre kërcënimeve jo të besueshme, të bëra në Ditën e Zgjedhjeve në Gjeorgji.

Këto zhvillime ngjallin shqetësim në lidhje me sigurinë e zgjedhjeve dhe përpjekjet e mundshme për të minuar besimin në procesin zgjedhor.

Situata kërkon një vëmendje të menjëhershme nga autoritetet për të garantuar sigurinë e votuesve dhe integritetin e zgjedhjeve.

Deri tani kanë votuar mbi 80 milionë amerikanë

Amerikanët po votojnë për presidentin e ardhshëm.

Qendrat e votimit janë hapur në të gjithë SHBA-në dhe do të vazhdojnë deri në mbrëmje, transmeton klankosova.tv.

Zyrtarët e zgjedhjeve, veçanërisht në shtetet kyçe, sipas CNN, janë zotuar të ruajnë integritetin e votës dhe kanë bërë thirrje që votuesit të mos bien pre e teorive konspirative.

Pikat kryesore të zhvillimeve deri tani:

Raporte për probleme minimale teknike – Deri më tani janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla për shkak të defekteve të lehta në pajisje.

Siguria e infrastrukturës së zgjedhjeve – Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA) ka raportuar se nuk ka pasur incidente të mëdha në shkallë kombëtare që mund të kërcënojnë sigurinë e infrastrukturës zgjedhore.

Mbi 80 milionë votues të parakohshëm – Deri tani, rreth 83 milionë votues kanë hedhur votën e tyre përpara ditës së zgjedhjeve, sipas të dhënave nga 48 shtete dhe Distrikti i Kolumbias. Ky numër përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit të votave të hedhura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Shpejtësia e numërimit të votave – Zyrtarët në Pensilvani dhe Florida kanë deklaruar se presin një numërim të shpejtë të votave. Rezultatet e Floridës priten të bëhen publike deri në fund të mbrëmjes, ndërsa Filadelfia synon të përfundojë numërimin deri të mërkurën në mesditë.

Paralajmërime kundër keqinformimit – Mbi 100 udhëheqës të profesionit ligjor kanë nënshkruar një letër të hapur që i paralajmëron avokatët që sfidojnë votat në këtë zgjedhje të mos paraqesin informacione të rreme në gjykata.

Monitorë nga Departamenti i Drejtësisë – Pas një padie nga zyrtarët republikanë në Texas për të ndaluar monitorët e Departamentit të Drejtësisë, shteti arriti një marrëveshje që monitorët të qëndrojnë jashtë qendrave të votimit. Ndërkohë, një gjyqtare federale vendosi të mos bllokojë monitorët në St. Louis pas një padie nga zyrtarët republikanë në Missouri.

Këto janë disa nga zhvillimet kryesore deri tani ndërsa amerikanët votojnë për të ardhmen e vendit të tyre.

A munden Harris apo Trump t’u japin fund luftërave?

Nënpresidentja Kamala Harris thotë se ajo beson se Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin nëpërmjet ndërtimit të aleancave për të menaxhuar konfliktet. Ish-Presidenti Donald Trump thotë se nëpërmjet shfaqjes së fuqisë dhe nëpërmjet paparashikueshmërisë, mundet t’i ndalë luftërat përpara se ato të fillojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara bisedoi me ekspertët se cila prej përqasjeve për politikën e jashtme mund të ishte më efikase për uljen e konflikteve, ndërsa vazhdojnë luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.

Në janar 2025, amerikanët do të kenë një president të ri, që do të ketë rol kryesor në përcaktimin e interesave gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara, si dhe do të jetë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura më të fuqishme të botës.

“Unë nuk bëj luftëra. Nuk pata luftëra, përveç ISIS-it, të cilin e munda, por edhe ajo ishte një luftë që ishte filluar më parë. Ne nuk kishim luftëra. I ndalja me një telefonatë”, tha ish-Presidenti Trump.

Ai nuk ka qartësuar ndonjëherë se si do t’i ndalte luftërat.

Gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden, Rusia sulmoi Ukrainën dhe grupet militante Hamas dhe Hezbollah sulmuan Izraelin, duke shkaktuar një kundërpërgjigje të përgjakshme ushtarake njëvjeçare nga Izraeli. Gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump nuk filluan luftëra të rëndësishme dhe ai nuk i përfshiu Shtetet e Bashkuara në konflikte të reja të armatosura. Mbështetësit e tij e quajnë ‘paqe nëpërmjet fuqisë’.

Demokratët thonë kjo se ishte një rastësi dhe se në përfundim të mandatit të ish-Presidentit Trump, forcat amerikane vazhdonin të luftonin në Afganistan, Siri, Irak dhe Jemen.

Në ekuacion ka rol edhe paparashikueshmëria e ish-Presidentit Trump.

“Ka rëndësi ideja se duke u shtirur, apo duke qenë i gatshëm për të qenë ‘i çmendur’ në politikën e jashtme dhe për t’u kundërpërgjigjur pa mëshirë ishte një mënyrë fuqie. Dhe paparashikueshmëria në këtë kuptim, mund të jetë një virtyt”, thotë historiani Thomas Schwartz, nga Universiteti Vanderbilt.

Kritikët thonë se paparashikueshmëria e ish-Presidentit Trump, e kombinuar me egocentrizmin e tij, është e rrezikshme në një botë me armë bërthamore.

Paparashikueshmëria mund të komplikojë edhe procesin e menaxhimit të konflikteve.

“Një pjesë e mirë e uljes së tensioneve dhe diplomacisë varet aktualisht nga koreografia, dhe koreografia duhet të jetë e parashikueshme. Pra, nëse e di se çfarë do të bëjë kundërshtari me hapin e ardhshëm, mund t’i çosh gjërat deri pranë cakut, por pa e kaluar atë”, thotë studiuesja Laura Blumenfeld, nga Universiteti Johns Hopkins.

Në frontin diplomatik, Nënpresidentja Harris shihet si më tradicionale. Ashtu si Presidenti Joe Biden, ajo beson tek multilateralizmi dhe tek ndërtimi i aleancave për të ruajtur rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara.

“Si nënpresidente, jam përballur me kërcënimet ndaj sigurisë tonë, kam negociuar me udhëheqës të huaj, kam forcuar aleancat tona dhe jam angazhuar me ushtarakët tanë kurajozë të dislokuar në vende të tjera. Si komandante e përgjithshme, do të sigurohem që Amerika të ketë gjithnjë forcat më të fuqishme luftarake në botë”, tha Nënpresidentja Harris.

Por ashtu si ish-Presidentit Trump, edhe Nënpresidentes Harris mund t’i duhet të përzgjedhë se cilat konflikte do të kërkojnë një përgjigje ushtarake amerikane. Shtetet e Bashkuara nuk janë më superfuqia e vetme e botës.

“Kandidatët Trump dhe Harris nuk e neglizhojnë faktin se fuqia po rishpërndahet në sistemin ndërkombëtar, se kanë ndikim edhe vende të tjera, se Rusia dhe Kina kanë pikëpamjet e tyre për mënyrën se si duhet të funksionojë rendi ndërkombëtar”, thotë studiuesja Ellen Laipson, nga Universiteti George Mason.

Diferenca, thotë zonja Laipson, është se Nënpresidentja Harris beson në fuqinë kolektive dhe se do të jetë më e prirur për t’i bashkuar vendet për t’i zgjidhur problemet së toku.

Nënpresidentja Harris pritet t’i vazhdojë përpjekjet e Presidentit Biden për unitetin transatlantik në mbështetje të Ukrainës.

Për Gazën, Nënpresidentja Harris ka theksuar respektimin e ligjeve humanitare.

“Donald Trump-i po i thotë Kryeministrit Netanyahu ‘bëj ç’ke për të bërë në Lindjen e Mesme’. Kamala Harris thotë ‘ke të drejtën për vetëmbrojtje dhe duhet të kesh parasysh krizën humanitare për palestinezët’. A do të sjellë një prej tyre një rezultat të ndryshëm? Në fund të fundit, a po i dëgjon njeri Shtetet e Bashkuara?”, thotë studiuesja Blumenfeld.

Ndërsa amerikanët përgatiten për të votuar, kjo do të jetë një pyetje e vështirë për t’i dhënë përgjigje, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në nëntor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat