Vendvotimet e para që mbyllen janë në disa pjesë të Indianas dhe Kentakit, në orën 18:00. Vendet e votimit në pjesë të të dy shteteve që janë në zonën kohore qendrore, do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00 të bregut lindor.
Në orën 20:00, të gjitha vendvotimet do të mbyllen në gjysmën e shteteve të vendit: Alabama, Connecticut, Delaware, Florida, Xhorxhia, Indiana, Illinois, Kentucky, Maine, Maryland, Massachusetts, Mississippi, Missouri, New Hampshire, New Jersey, North Carolina, Ohio, Oklahoma, Pensilvania, Rhode Island, Karolina e Jugut, Tenesi, Vermont, Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore.
Qendrat e votimit qëndrojnë të hapura më vonë në Alaskë, ku do të mbyllen në orën 1 të mëngjesit.
Që nga e marta, gjurmimi nga agjencia e lajmeve Associated Press i votimeve të hershme në mbarë vendin tregoi se mbi 82 milionë fletë votimi u hodhën përpara ditës së zgjedhjeve, që është pak më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet presidenciale katër vite më parë.
Megjithatë, për rezultatet në shumë prej atyre shteteve do të duhen orë, nëse jo ditë, për t'u shpallur.
Zgjedhjet presidenciale pritet të përcaktohen nga rezultate në disa shtete të fushëbetejës elektorale.
Kërcënime të rreme për bomba iu bënë qendrave të votimit në tre prej shteteve të pavendosura – në Xhorxhia, Miçigan dhe Wisconsin, tha FBI-ja të martën. Sipas FBI-së, shumë prej kërcënimeve duket se e kanë origjinën nga adresa ruse të postës elektronike.
"Asnjë nga kërcënimet nuk është përcaktuar të jetë i besueshëm deri më tani", tha FBI-ja në një deklaratë, duke shtuar se integriteti i zgjedhjeve ishte ndër prioritetet më të larta të kësaj agjencie.
Të paktën dy qendra votimi të shënjestruara në Xhorxhia u evakuuan shkurtimisht të martën.
Sekretari republikan i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger fajësoi ndërhyrjen ruse.
“Duan të bëjnë keq, me sa duket. Nuk duan që ne të kemi zgjedhje të qeta, të ndershme dhe të sakta, dhe nëse mund të na bëjnë të luftojmë mes nesh, ata mund ta llogarisin këtë si një fitore", u tha zoti Raffensperger gazetarëve.