Ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris e fitoi Kaliforninë në zgjedhjet presidenciale, mbështetësit e republikanit Donald Trump po festojnë fitoren e tij si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, guvernatori demokrat i Kalifornisë ka bërë thirrje për një seancë të posaçme legjislative për të mbrojtur politikat progresiste të shtetit gjatë mandatit katërvjeçar të republikanit Trump.
Ish marinsi amerikan, Jerry Piani, është një mbështetës i zjarrtë i zotit Donald Trump. Makina e tij është e mbushur me flamuj dhe sende që mbajnë emrin e tij, madje edhe këpucët. I konsideruar si i huaj mes elitës politike të Uashingtonit, veterani Piani ka tetë vjet që bën fushatë për kandidatin republikan.
“Ndjeva një lehtësim në gjoks, sepse pa të nuk kemi ku të shkojmë. Amerika është bastioni i fundit që kemi dhe nuk kemi ku të shkojmë. Ku mund të gjejmë lirinë që kemi në vendin tonë, që na e jep Kushtetuta. Ishte shumë e rëndësishme për ne”, thotë për Zërin e Amerikës veterani Piani.
Që nga qyteti Los Anxhelos, në parkun Griffith, bulevardin e Hollivudit e madje edhe në Santa Monica, mbështetësit e zotit Trump shënuan fitoren e tij për një mandat të dytë presidencial.
Për çiftin Rebeka dhe Roland Casey, gëzimi i fitores së zotit Trump është i përzierë me pikëllimin për humbjen e tre familjarëve të tyre, të cilët vdiqën kohët e fundit nga mbidozat me fentanil.
“Droga po u merr jetën shumë zezakëve dhe familjarëve të mi. Humba tre pjesëtarë të familjes që i doja shumë, që ndihmova të rriteshin. Tani ata nuk janë më për shkak të fentanilit që vjen në Shtetet e Bashkuara nga Kina përmes Meksikës. Duhen mbyllur dhe siguruar kufijtë, sepse në të kundërt nuk ke një shtet”, thotë Roland Casey, mbështetës i republikanit Trump.
Rebecca Casey thotë se shpresonin në fitoren e zotit Trump në vitin 2020.
“E dimë që duhej të ndodhte kështu. Ai ishte president për katër vjet, dhe besoj se shumë gjëra duhet të dilnin në dritë. Zoti e lejoi të pushonte për një minutë dhe asgjë nuk e ndaloi as në atë çast. Jemi me të në çdo hap”.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i kërkoi javën e shkuar legjislaturës së shtetit që të rrisë fondet ligjore për të mbrojtur Kaliforninë nga sulmet e mundshme të Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Trump ndaj të drejtave për abortin, rregulloreve për makinat elektrike, politikat e imigracionit dhe ndihmës federale për fatkeqësitë.
Michele, një tjetër mbështetëse e republikanit Trump, e cila nuk donte të jepte mbiemrin nga frika se mund të rrezikohej puna e saj në Hollivud, tha se beson se më shumë kalifornianë do t’i mbështesin republikanët në ciklin e ardhshëm zgjedhor.
"Sapo të marrë postin, mendoj se jeta do të përmirësohet për shumë amerikanë të zakonshëm”.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, 63.5% e votave në Kaliforni shkuan për kandidatin demokrat Joe Biden, krahasuar me vetëm 34.3% për zotin Trump. Në vitin 2024, demokratja Harris mori 58.2% të votave dhe republikani Trump mori 38.9%. Hera e fundit që një kandidat republikan për president e fitoi Kaliforninë ishte George H.W. Bush në vitin 1988./VOA