Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi më 13 nëntor senatorin Marco Rubio si kryediplomat të tij, në kohën kur administrata e ardhshme po përgatitet të navigojë nëpër një botë gjithnjë e më të rrezikshme - me luftëra në Evropë dhe Lindje të Mesme, si dhe me një konkurrencë në rritje të Kinës në Azi-Paqësor.
Me zgjedhjen e Rubios - senator i njohur për qëndrime të ashpra në shumë çështje të politikës së jashtme - Trump kërkoi dikë që ndan kryesisht pikëpamjet e tij për temat më urgjente ndërkombëtare, thotë Behnam Ben Taleblu, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.
“Rubio është dikush që ka përafrim ideologjik dhe politik me Trumpin për disa çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare, si konkurrenca e fuqive të mëdha, kundërvënia ndaj Kinës, kundërvënia ndaj Iranit dhe rivendosja e fushatës së presionit maksimal”, thotë Taleblu për Radion Evropa e Lirë.
Në një intervistë dhënë javën e kaluar, përpara se të emërohej në pozitën e sekretarit të Shtetit, Rubio tha se periudha prej dekadash e dominimit të pakundërshtueshëm global të SHBA-së, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ka përfunduar dhe është zëvendësuar me një epokë të re të ngjashme me Luftën e Ftohtë.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të dobësohen shumë përmes angazhimeve globale dhe shtoi se Uashingtoni duhet të jetë “pragmatik” në politikën e jashtme.
“Ne jemi [vendi] më i fuqishëm, por edhe ne kemi burime të kufizuara... Kështu që duhet të investojmë kohën dhe paratë tona në gjëra që i shërbejnë interesit tonë thelbësor kombëtar”, tha Rubio në një intervistë për rrjetin kabllor në SHBA, EWTN, më 7 nëntor.
Rubio, kubano-amerikan, luajti rol me ndikim në formësimin e politikës së Trumpit ndaj Venezuelës, gjatë mandatit të parë të tij si president nga viti 2017 deri më 2021.
New York Times e përshkroi Rubion në atë kohë si “sekretar virtual të Shtetit për Amerikën Latine”.
Senatori nga Florida, i cili e sfidoi Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, merr detyrën me përvojë të madhe në politikën e jashtme, pasi shërbeu edhe në Komitetin e Inteligjencës në Senat, edhe në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë.
Nëse konfirmohet përfundimisht nga Senati, Rubio, 53 vjeç, bëhet latini i parë që shërben si sekretar i Shtetit.
Dhe, derisa Amerika Latine do të jetë në fokus për Rubion, shqetësimet më të ngutshme të politikës së jashtme të SHBA-së - si ngritja globale e Kinës, kërcënimi i Iranit për Lindjen e Mesme dhe pushtimi rus i Ukrainës - pritet të kenë po ashtu rëndësi.
Prioriteti nr. 1: Kina
Kur bëhet fjalë për kërkesat për burime ushtarake, politike dhe financiare të SHBA-së, Rubio dëshiron që fokusi të jetë në Kinë.
“Unë mendoj se e ardhmja e shekullit 21 do të përcaktohet kryesisht nga ajo që ndodh në Indo-Paqësor. Unë mendoj se Kina do të donte që ne të zhyteshim në një konflikt në Evropë dhe të mos fokusohemi në atë që po ndodh në Indo-Paqësor”, tha Rubio më 7 nëntor.
Rubio, i cili shërbeu si bashkëkryetar i një komiteti dypartiak të Kongresit për Kinën, kërkoi vazhdimisht qasje më të ashpër ndaj Pekinit.
Ai udhëhoqi përpjekjet për të armatosur Tajvanin - një demokraci vetëqeverisëse, mbi të cilën Pekini pretendon se ka pronësi. Ai kërkoi dërgesa të drejtpërdrejta të municioneve amerikane dhe të teknologjive të avancuara ushtarake, me shpresën për ta penguar sulmin e mundshëm të Kinës në këtë ishull.
Rubio ishte, gjithashtu, i zëshëm për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, shtyu përpara një politikë industriale të SHBA-së për t’i bërë konkurrencë më të mirë Kinës dhe mbështeti tarifat për mallrat kineze.
Ai u përpoq t’i ndalonte importet e mallrave kineze, të prodhuara nga puna me detyrim e ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në Kinën perëndimore, dhe ta parandalonte Kinën që t’i anashkalonte tarifat e kohës së Trumpit, duke e zhvendosur prodhimin në Meksikë.
NATO-ja dhe Ukraina
Rubio mbështeti vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë, ndërsa ukrainasit i përshkroi si “tepër të guximshëm dhe të fortë”.
Në shkurt të vitit 2022, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, ai bashkësponsorizoi Aktin NYET në Senat, i cili synonte “t’i forconte aftësitë mbrojtëse të Ukrainës” dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë.
Por, Rubio tha po ashtu se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hasur në “ngërç” dhe “duhet arritur në një përfundim”.
Ai ishte në mesin e një pakice senatorësh që, në fillim të këtij viti, e kundërshtuan një projektligj për ndihmën e huaj, e cila përfshinte 60 miliardë dollarë për Ukrainën.
Projektligji u miratua përfundimisht në prill, duke e çuar vlerën e ndihmës totale të SHBA-së për Ukrainën që nga shkurti i vitit 2022 në pothuajse 175 miliardë dollarë - afërsisht sa krejt ndihma që ndau e gjithë Evropa së bashku.
Rubio e nxori në pah këtë çekuilibër, duke thënë se Uashingtoni duhet ta shtyjë Evropën që të marrë një rol më të madh në trajtimin e çështjeve të saj të sigurisë, në mënyrë që t’u mundësojë Shteteve të Bashkuara ta kenë prioritet sfidimin e Kinës në Indo-Paqësor.
Në intervistën e javës së kaluar për EWTN-në, Rubio tha se është “joreale” të pritet që Shtetet e Bashkuara të miratojnë dhjetëra miliarda dollarë për Ukrainën çdo dhjetë muaj. Ai tha se anëtarët evropianë të NATO-s duhet ta rrisin kontributin e tyre në aleancë.
“Çdo ditë në vendin tonë, [ne jemi] duke u përballur me pyetje se si t’u ofrojmë ndihmë amerikanëve”, tha ai.
Edhe pse Rubio e sheh Rusinë si kërcënim për sigurinë e SHBA-së dhe e mbështet sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, ai tha se Kievit do t’i duhet të negociojë për t’i dhënë fund luftës.
Rubio tha se Rusia ka shumë burime në dispozicion, përfshirë armë dhe njerëz, për t’i vazhduar luftimet, edhe pse ka pësuar humbje të jashtëzakonshme.
Jo politikë qetësuese në Iran
Në Lindjen e Mesme, Rubio ka prej kohësh qëndrim të ashpër ndaj Iranit, duke e përshkruar Qeverinë e tij teokratike si një “regjim terrorist”, për shkak të financimit të grupeve të tilla si Hamasi dhe Hezbollahu - të dyja të cilësuara si organizata terroriste nga SHBA-ja.
Si senator, ai ishte kritik i ashpër i marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015, e arritur nën presidentin e atëhershëm amerikan, Barack Obama. E njohur si JCPOA, marrëveshja kufizoi programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër tij.
Kritikët e marrëveshjes thanë se ajo e fuqizoi Iranin, duke ia lehtësuar në masë të madhe sanksionet, pa ndonjë garanci se një ditë nuk do të prodhojë bombë bërthamore.
Në vitin 2018, Trump, i cili atëherë ishte president, e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit.
Së voni, Rubio ishte bashkautor i tri projektligjeve që i dënojnë veprimet e Iranit, të cilat u shndërruan në ligje.
Ato autorizojnë sanksionimin e eksporteve iraniane të naftës, të liderëve të lartë iranianë për shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe të entiteteve të huaja dhe qeverive që mbështesin Hamasin.
Hamasi e sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023, duke shkaktuar një luftë rajonale, e cila kërcënon të përfshijë më shumë shtete.
Në shtator, Rubio e kritikoi administratën e presidentit aktual, Joe Biden, për zvarritje në zbatimin e sanksioneve kundër naftës iraniane. Ajo nuk arriti t’i shtynte përpara as sanksionet në fushën e të drejtave të njeriut.
Varësisht asaj me çka do të përballet administrata e ardhshme në Iran kur ta marrë detyrën, analisti Taleblu pret që Departamenti i Shtetit, i udhëhequr nga Rubio, ta monitorojë zbatimin e sanksioneve.
Si përkrahës i zëshëm i Izraelit, Rubio thotë se e mbështet të drejtën e tij për t’u mbrojtur nga kërcënimet iraniane.
Pas sulmeve raketore të Teheranit në Izrael më 1 tetor, Rubio mbështeti publikisht përgjigje asimetrike.
Afganistani
Rubio ka, gjithashtu, qëndrim të ashpër ndaj talibanëve, duke argumentuar se grupi militant islamik duhet të përshkruhet si “organizatë terroriste” nga Uashingtoni.
Në mars, senatori i Floridës paraqiti një projektligj në Senat, i cili bën thirrje për t’i dhënë fund ndihmës së SHBA-së për Afganistanin e sunduar nga talibanët, duke thënë se disa nga ato para mund të përfundojnë te “grupet terroriste”.
Në komentet për Senatin, Rubio tha: “Një Afganistan i kontrolluar nga talibanët përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe për aleatët tanë në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore”./REL