Demokratët po shqyrtojnë arsyet që çuan në humbjen e garës presidenciale më 5 nëntor. Analistët rendisin ekonominë si arsye kryesore për humbjen e Nënpresidentes Kamala Harris, por shtojnë se pas saj qëndrojnë edhe faktorë të tjerë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton.
Ndërsa demokratët po mësohen gradualisht me realitetin e humbjes së zgjedhjeve, ata po reflektojnë gjithashtu mbi arsyet e kësaj humbeje.
Shtëpia e Bardhë i ka kundërshtuar pohimet se përpjekja e Presidentit Joe Biden për t’u rizgjedhur dhe hezitimi i tij për t'u tërhequr nga gara presidenciale më herët, dëmtuan mundësinë e Nënpresidentes Kamala Harris për të fituar, më 5 nëntor.
"Kur ai mori vendimin për t'ia kaluar stafetën nënpresidentes ai besoi se ishte vendimi i duhur për të marrë në atë kohë", tha Karine Jean-Pierre, sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Por sipas analistëve mundësitë për t’u zgjedhur të zonjës Harris u dëmtuan më shumë nga fakti se ajo nuk arriti ta ndajë veten nga politikat ekonomike të zotit Biden.
“Perceptimi popullor ishte se ai nuk e ka menaxhuar mirë ekonominë, gjë që më së shumti buronte nga inflacioni i lartë i dy viteve të tij të para në detyrë. Mendoj se ato ishin pengesa shumë të vështira për t'u kapërcyer nga Harris”, thotë David Greenberg, i Universitetit ‘Rutgers’.
Gjatë fushatës elektorale, vëmendje e madhe iu kushtua të drejtës për abort, por gratë nuk votuan për zonjën Harris lidhur me këtë çështje në atë masë që kishin shpresuar demokratët.
“Kishte shumë shtete që këtë çështje e kishin në fletëvotim, me qëllimin për ta përcaktuar me ligj të drejtën riprodhuese, ndaj njerëzit ishin në gjendje të votonin për këtë çështje dhe në të njëjtën kohë të votonin për Trump-in”, thotë Julie Roginsky, zyrtare demokrate.
Zonja Roginsky thotë se përtej analizës të asaj çka ndodhi me këto zgjedhje, Partia Demokrate duhet të rregullojë atë që ajo e quan, një problem strukturor që ekziston prej kohësh.
“Ne kemi një historik me të cilin duhet të krenohemi, e megjithatë nuk dimë si ta përcjellim atë. Nuk po ia dalim ta përçojmë mesazhin e të shfaqemi si autentik”, shton ajo.
John Lappie, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Plymouth thotë se demokratët kanë nevojë për gjak të ri.
"Ata kanë nevojë për udhëheqje të re, e cila të jetë më në harmoni me situatën aktuale dhe padyshim më në harmoni me klasën punëtore".
Në kushtet kur republikanët udhëheqin Kongresin me një shumicë të vogël, zoti Lappie pret që demokratët të jenë në gjendje të kundërshtojnë politikat me të cilat nuk pajtohen, ndërkohë që përgatiten për goditjen e tyre të radhës në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti./VOA