Komisioni i Kongresit vendos sot nëse do të publikojë ose jo raportin për Matt Gaetz

Amerika

Komisioni i Kongresit vendos sot nëse do të publikojë ose jo raportin për Matt Gaetz

Më: 20 nëntor 2024 Në ora: 19:49
Matt Gaetz

Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve është mblidhur të mërkurën për të vendosur nëse do të publikojë ose jo raportin e tij hetimor për ish-ligjvënësin Matt Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual dhe përdorim droge përpara se të emërohej nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm.

Disa senatorë demokratë dhe republikanë, po kërkojnë që raporti të publikohet, ndërsa do të vendosin për konfirmimin e tij në Senat.

Të mërkurën e kaluar, zoti Trump e emëroi 42 vjerçarin Matt Gaetz, një ligjvenës republikan nga Florida prej tetë vitesh, për postin e zyrtarit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend, (i barazvlefshëm me atë të ministrit të Drejtësisë).

Disa orë më vonë, zoti Gaetz dha dorëheqjen nga Kongresi edhe pse sapo ishte rizgjedhur për një mandat të pestë.

Dorëheqja e tij i dha fund hetimit të Komisionit të Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ishte pranë përfundimit të punës.

Pas kësaj ka mbetur e paqartë nëse komisioni do t’i bëjë publike gjetjet.

Komisioni, me 10 anëtarë, pesë demokratë dhe pesë republikanë, kishte bërë hetime rreth akuzave se zoti Gaetz kishte patur një marrëdhënie seksuale me një vajzë 17-vjeçare dhe kishte përdorur drogë në mënyrë të paligjshme.

Zoti Gaetz i ka hedhur poshtë akuzat.

Departamenti i Drejtësisë, e ka hetuar rastin, por vendosi vitin e kaluar të mos ngrejë padi kundër tij.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, i cili udhëheq shumicën e ngushtë republikane në këtë dhomë, thotë se raporti nuk duhet të bëhet publik, pasi zoti Gaetz nuk është më anëtar i Kongresit. Megjithatë në të kaluarën ka pasur raste kur një gjë e tillë ka ndodhur.

Zoti Johnson i tha rrjetit televiziv CNN të dielën se senatorët që do të shqyrtojnë emërimin e zotit Gaetz për postin e prokurorit të përgjithshëm “do të kryejnë një proces rishikimi dhe verifikimi të hollësishëm", dhe se nuk kishin nevojë të shihnin raportin.

Por disa senatorë kanë sugjeruar se mund të bëjnë një kërkesë zyrtare për ta marrë raportin, nëse ai nuk u dorëzohet vullnetarisht.

Senatori republikan Markwayne Mullin tha të dielën për rrjetin televiziv NBC se komisioni duhet të ndajë raportin me Senatin.

"Senati duhet të ketë qasje tek raporti", tha zoti Mullin.

"A duhet të publikohet apo jo, kjo mendoj se duhet të jetë pjesë e negociatave", tha ai.

Zoti Gaetz është një nga disa të emëruarit e zotit Trump për kabinetin e tij, që nuk ka përvojën që zakonisht kërkohet për të përzgjedhur kandidatët për nivele të larta në qeveri.

Një tjetër emërim që ka ngjallur debate është ai i Sekretarit të Mbrotjes, Pete Hegseth, gazetar dhe prezantues i televizionit Fox News.

Avokati i tij tha se disa vite më parë zoti Hegseth i kishte paguar një shumë që nuk u bë publike, një gruaje që e akuzonte atë për abuzim seksual në vitin 2017.

Pagesa ishte bërë për të shmangur bërjen publike të një padie të pabazë, sipas zotit Hegseth.

Zoti Trump i ka mbështetur emrat që ka zgjedhur për kabinetin e tij, duke refuzuar të tërheqë emërimet e tyre. Por polemikat rreth zotit Gaetz, zoti Hegseth dhe disa të tjerëve, mund të rrezikojnë konfirmimet e tyre në Senat.

Presidenti i zgjedhur ka kërkuar gjithashtu, por me pak sukses deri më tani, të emërojë anëtarët e kabinetit të tij, ndërsa senatorët ndodhet me pushime, çka do të shmangte seancat e konfirmimit që kërkojnë kohë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat