Ish ligjvënësi Matt Gaetz tha në një intervistë të premten se nuk do të marrë mandatin për Kongresin e ri që mblidhet në 3 janar 2025.
Njoftimi erdhi një ditë pasi ai u tërhoq si i emëruar i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm, mes dyshimeve për abuzim seksual dhe përdorim të paligjshëm droge.
“Do të vazhdoj të luftoj, por nga një pozitë e re. Nuk kam ndërmend të jem anëtar i legjislaturës së 119 të Kongresit", tha zoti Gaetz, republikan nga Florida, i cili kishte fituar një mandat tjetër për të përfaqësuar Floridën në Dhomën e Përfaqësueve. Ai u intervistua nga aktivisti i djathtë Charlie Kirk.
Zoti Gaetz u tërhoq të enjten nga emërimi mes dyshimeve për marrëdhënie intime me një vajzë minorene 17 vjeçare dhe për përdorim të paligjshëm droge. Ai i ka hedhur poshtë akuzat për shkelje.
Ai dha dorëheqjen si ligjvënës i Floridës në Dhomën e Përfaqësuesve pasi zoti Trump e përzgjodhi atë javën e kaluar për postin e prokurorit të përgjithshëm.
Të mërkurën në mbrëmje, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Etikën nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual.
Ai është i pari i emëruar në nivel kabineti që tërhiqet, ndërsa ka pikëpyetje për sjelljen në të kaluarën të disa prej të emëruarve të tjerë që priten të jenë pjesë e administratës së ardhshme republikane.
Një tjetër i emëruar për të drejtuar Pentagonin, ish ushtarak dhe gazetar i rrjetit televiziv Fox News, ka ngjallur debate lidhur me dyshimet për abuzim seksual.
Pas tërheqjes së zotit Gaetz, Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi ish kryeprokuroren e Floridës, Pam Bondi, për detyrën e Prokurores së Përgjithshme.
Sipas rrjetit CNN, zoti Gaetz e vlerësoi emërimin e saj dhe pohoi se ai ishte viktimë e një fushate të Uashingtonit për ta “njollosur” figurën e tij.
"Unë do të luftoj për Presidentin Trump. Do të bëj gjithçka që më kërkon, siç kam bërë gjithmonë", tha zoti Gaetz në intervistë. "Por besoj se tetë vjet janë kohë e mjaftueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara"./VOA