Këshilltari i presidentit të zgjedhur: Po punojmë me administratën e Biden për zgjidhjen e situatës në Ukrainë

Amerika

Këshilltari i presidentit të zgjedhur: Po punojmë me administratën e Biden për zgjidhjen e situatës në Ukrainë

Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 21:56
Foto ilustrim

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është “tepër i shqetësuar” nga përdorimi në rritje i llojeve të ndryshme të armatimeve në luftën gati trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha të dielën këshilltari i Trump.

Ligjvënësi republikan, Mike Waltz, është përzgjedhur nga zoti Trump për të shërbyer si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare gjatë administratës së re që fillon punën më 20 janar. Ai tha për kanalin televiziv “Fox News” se vendimi i Presidentit Biden në largim për të lejuar Ukrainën që të përdorë mina tokësore në përpjekje për të ndaluar përparimin e trupave tokësore ruse në fushën e betejës, e ka kthyer luftën në pjesën lindore të Ukrainës në diçka që ngjason me betejën e llogoreve gjatë Luftës së Parë Botërore.

Waltz tha se vendimi duhet të jetë brenda një kornize më të gjerë për t’i dhënë fund konfliktit.

“Në këtë front kemi të bëjmë me numër të madh civilësh dhe ushtarësh”, tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Ukrainë mina kundër këmbësorisë për shkak të ndryshimit të natyrës së konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës, fushëbeteja kryesore.

Austin tha se përparimi i Moskës po udhëhiqet nga trupat tokësore ruse, në vend të forcave më të mbrojtura në transportues të blinduar, kështu që Ukraina ka një nevojë për mjete që mund të ndihmojnë në ngadalësimin e kësaj përpjekjeje.

Waltz tha se Presidenti i zgjedhur Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, është i shqetësuar nga bilanci i rëndë i viktimave që ka shkaktuar lufta. Ai tha se pyetja kryesore është “si mund të ringjallim parandalimin dhe të sjellim paqen”.

“Duhet ta çojmë këtë luftë drejt një fundi të përgjegjshëm”, shtoi ai.

Trump është shprehur vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë, madje, përpara se të inaugurohej si Presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara. Trump nuk ka deklaruar se si do ta bënte një gjë të tillë dhe gjatë debatit presidencial në muajin shtator nuk pranoi të shprehej nëse ai dëshironte që Ukraina të fitonte luftën.

Presidenti Biden hoqi kufizimet ndaj Ukrainës duke e lejuar që të lëshonte raketa amerikane me rreze veprimi deri 300 kilometër, në thellësi të Rusisë, në përgjigje të dislokimit të 10 mijë trupave koreanoveriore për të luftuar krahas forcave të Moskës. Dy ditë më vonë, Kievi vuri si objektiv me këto raketa, depot e armëve në rajonin rus Briansk.

Më pas, Presidenti Vladimir Putin lëshoi një raketë të re eksperimentale duke vënë në shënjestër rajonin Dnipro, në lindje të Ukrainës.

“Është qartazi pëshkallëzim”, tha Waltz. “Ku po shkon ky përshkallëzim? Si mund t’i ulim të dyja palët në tryezë për bisedime për paqe”?

Waltz, posti i të cilit nuk ka nevojë të konfirmohet nga Senati, tha se ka patur takime me Jake Sullivan, këshilltarin për siguri kombëtare të Presidentit Biden.

Këshilltarët e sigurisë kombëtare të Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe Presidentit Joe Biden në largim, po punojnë ngushtë për të krijuar një front të bashkuar përballë kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së ndryshimit të udhëheqjes në Shtëpinë e Bardhë, tha të dielën Mike Waltz, këshilltar i Trump.

“Për kundërshtarët tanë që mendojnë se kjo periudhë është moment mundësish, që ata mund të vënë njërën administratë kundër tjetrës, ata gabohen”, tha Waltz për kanalin televiziv “Fox News” të dielën.

Waltz tha se kishte “besim” se Trump do të rivendoste “pa vonesë” paqen në konfliktet në Lindje të Mesme, ku Izraeli po lufton kundër militantëve të mbështetur financiarisht nga Irani, grupi Hamas në Gazë dhe grupi Hezbollah në Liban.

Megjithatë, besedimet disa mujore për armëpushim në Gazë kanë ngecur ndërsa negociatat për të arritur ndalim të luftimeve mes Hezbollahut dhe Izraelit nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat