Prokurorët federalë kanë vendosur të hënën ta pushtojnë aktakuzën kundër presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cila ngarkonte atë me komplot për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, si dhe të heqin dorë nga çështja tjetër gjyqësore kundër tij për dokumentet e klasifikuara.
Ata e cituan politikën e kamotshme të Departamentit amerikan të Drejtësisë e cila i mbron presidentët në detyrë nga ndjekja penale, në kërkesën e tij për ta hedhur poshtë rastin kundër Trumpit.
Vendimi i marrë nga prokurori i posaçëm, Jack Smith – i cili kishte luftuar për ta mbajtur Trumpin përgjegjës për përpjekjet e tij për ta zhbërë humbjen në zgjedhjet e 2020-ës – do të thotë se me kaq merr fund ndjekja penale ndaj ish-presidentit, pasi ai i fitoi zgjedhjet këtë muaj.
Ekipi i Smithit theksoi se vendimi për të hequr dorë nga ndjekja penale, në gjykatat federale në Uashington dhe Florida, nuk pasqyron qëndrimin e tyre për meritat e këtyre dy çështjeve ligjore, por pasqyron përkushtimin e tyre ndaj politikës së kamotshme të departamentit.
Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë, duke cituar udhëzimin e kamotshëm të departamentit që një president në detyrë nuk mund të ndiqet penalisht, thanë se qëndrimi i departamentit është se “Kushtetuta kërkon që ky rast të hidhet poshtë para se i pandehuri të inaugurohet”.
Ky vendim pritej, pasi ekipi i Smithit filloi shqyrtimin e dhënies fund të dy rasteve - ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020 dhe rastit tjetër për dokumentet e klasifikuara - pasi Trumpi e mposhti nënpresidenten Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Departamenti i Drejtësisë beson se Trumpi nuk mund të gjykohet më, pasi politika e departamentit thotë se presidentët në detyrë nuk mund të ndiqen penalisht.
Trumpi i ka cilësuar të dyja rastet kundër tij si të motivuara politikisht dhe është zotuar se do ta shkarkojë Smithin sapo ta marrë detyrën në janar.
Aktakuza në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, e ngritur vitin e kaluar, dikur shihej si një nga kërcënimet më serioze ligjore me të cilat përballej Trumpi në rrugën e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Por, ky rast kundër tij ngeci shpejt mes betejave ligjore pas pretendimeve të mëdha të Trump se ai gëzonte imunitet nga ndjekja penale për veprime që i ndërmori gjatë kohës sa ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Gjykata e Supreme e SHBA-së, në korrik, vendosi për herë të parë se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale dhe e ktheu rastin te gjykatësja e Distriktit Amerikan, Tanya Chutkan, për të përcaktuar se cilat akuza në aktakuzë mund të vazhdonin për gjykim.
Rasti sapo kishte filluar të merrte vrull në gjykatën e shkallës së parë në javët para zgjedhjeve të këtij viti.
Ekipi i Smithit, në tetor, paraqiti një dokument të gjatë duke shpalosur prova të reja që synonte t’i përdorte kundër Trumpit në gjyq, duke e akuzuar atë se “e përdori krimin” në një përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruar për të përmbysur vullnetin e votuesve, pasi humbi kundër presidentit Joe Biden.