Në fillim të kësaj jave, Presidenti Joe Biden fali djalin e tij Hunter Biden, duke i dhënë fund sagës politike që kishte shkaktuar ndasi mes ligjvënësve për vite më radhë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, procesi i faljeve në fund të mandatit presidencial ka qenë gjithmonë një çështje e diskutueshme.
Pak javë nga përfundimi i mandatit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden fali djalin e tij Hunter. Shtëpia e Bardhë e mbrojti vendimin, për të pushuar akuzat ndaj tij për veprat penale të blerjes së një arme zjarri në mënyrë të paligjshme dhe evazionit fiskal. Karine Jean-Pierre është zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
“Ai e analizoi çështjen dhe beson në sistemin e drejtësisë por beson gjithashtu se mënyra se si politika e infektoi procesin çoi në dështimin e drejtësisë”.
Në fillim të vitit, Presidenti Biden u zotua se nuk do ta falte të birin, ndërsa u shpreh se askush në Shtetet e Bashkuara nuk ishte mbi ligjin.
“Kam thënë që do t’i përmbahem vendimit të jurisë. Nuk do ta fal”.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të shumta në lidhje me faljen.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, që kryen hetime rreth bizneseve të zotit Hunter Biden jashtë vendit, kërkuan që ndaj Presidentit Biden të fillonte procesi i shkarkimit, pasi ai kishte përfituar prej tyre, ndonëse nuk ofruan prova bindëse për këtë.
Avokati i zotit Hunter Biden, Mark Geragos, thotë se falja ishte e nevojshme.
“Nuk e di se si një njeri serioz mund të thotë se nuk ishte ndjekje penale e motivuar politikisht”.
Zoti Biden nuk është presidenti i parë amerikan që fal një pjesëtar të familjes. Analistja ligjore, Claire Finkelstein, thotë se vendimi është shqetësues.
“Është për të ardhur keq që ai nuk mundi të jepte shembullin dhe ta linte drejtësinë të vepronte, por ndërmori këtë hap shumë të politizuar duke falur të birin. Kjo përbën precedent në lidhje me përdorimin e faljes presidenciale në këtë mënyrë”.
Në fund të mandatit të parë presidencial, zoti Trump fali 237 individë. Shumë prej tyre ishin dënuar për mashtrime, ose korrupsion publik dhe nuk kaluan në procesin e zakonshëm të paraqitjes së kërkesës për falje.
“Të mos harrojmë se Donald Trumpi ka thënë në të kaluarën se kishte kompetenca të falte veten, që është kulmi i politizimit të faljes”, thotë për Zërin e Amerikës, profesoresha Claire Finkelstein me Universitetin e Pensilvanisë.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump është zotuar të falë të dënuarit për trazirat e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit./VOA