SHBA dhe aleatët: Përfshirja e Phenianit në Ukrainë shënon ‘zgjerim të rrezikshëm të konfliktit’

Amerika

SHBA dhe aleatët: Përfshirja e Phenianit në Ukrainë shënon ‘zgjerim të rrezikshëm të konfliktit’

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 21:15
Ilustrim

Dhjetë vende dhe Bashkimi Evropian e quajtën përfshirjen në rritje të Koresë së Veriut në luftën e Rusisë në Ukrainë një “zgjerim të rrezikshëm” të konfliktit, në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Shtetet e Bashkuara, të hënën.

Pheniani ka dërguar mijëra trupa për të ndihmuar trupat ruse. Ukraina njoftoi të hënën se luftëtarët e saj kishin vrarë ose plagosur të paktën 30 ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin rus, Kursk.

“Mbështetja e drejtpërdrejtë e Koresë së Veriut për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës shënon një zgjerim të rrezikshëm të konfliktit, me pasoja të rënda për sigurinë evropiane dhe indo-paqësore”, thuhet në deklaratë.

Ministrat e Jashtëm të Australisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Koresë së Jugut, Zelandës së Re, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesi i lartë i bllokut evropian për politikë të jashtme e nënshkruan deklaratën.

Ata thanë gjithashtu se ishin “thellësisht të shqetësuar për çdo mbështetje politike, ushtarake ose ekonomike që Rusia mund t'i ofrojë programeve për krijimin e armëve të paligjshme të Koresës së Veriut, duke përfshirë armët e shkatërrimit në masë”.

Koreja e Veriut dhe Rusia kanë forcuar lidhjet e tyre ushtarake që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ekspertët thonë se Kim Jong Un, udhëheqësi i Koresë komuniste, të armatosur me armë bërthamore, ka prirje të kërkojë dhe marrë teknologji të avancuar nga Moska dhe përfitojë përvojë luftarake për trupat e tij.

Nënshkruesit e deklaratës thanë se ata “dënojnë me gjuhën më të ashpër bashkëpunimin ushtarak në rritje” duke përfshirë “dërgimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi për shfrytëzim në fushën e betejës kundër Ukrainës”.

Ata shtuan se eksporti i raketave balistike, predhave të artilerisë dhe materialeve të tjera ushtarake nga Pheniani në Rusi, si dhe trajnimi nga Moska i ushtarëve koreano-veriorë “paraqesin shkelje flagrante të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

“Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të ndërpresë menjëherë të gjithë ndihmën për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë tërheqjen e trupave të saj”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut e kanë akuzuar Veriun për dërgimin e më shumë se 10,000 ushtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat