Pritshmëritë për industrinë e makinave elektrike gjatë administratës së re

Amerika

Pritshmëritë për industrinë e makinave elektrike gjatë administratës së re

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 19:39
Donald Trump dhe Elon Musk

Prodhuesit e automjeteve elektrike shpresojnë për një rritje të vazhdueshme gjatë mandatit të ri të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, veçanërisht pasi Drejtori Ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk pritet të jetë një nga këshilltarët e tij kryesorë. Siç njofton korrespontja e Zëtit të Amerikës Genia Dulot nga Panairi i Makinave në Los Anxhelos, industria e makinave elektrike ka pritshmëri të mëdha për rritje gjatë administratës së re.

Më herët gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump kritikoi ashpër Presidentin Joe Biden për mbështetjen industrisë së makinave elektrike.

"Ai dëshiron ta bëjë të detyrueshme blerjen e makinave elektrike, një veprim që do të shkatërronte industrinë e makinave në Shtetet e Bashkuara", tha ai.

Në muajt e fundit të fushatës së tij, zoti Trump mori një mbështetje të madhe nga drejtuesi kompanisë së prodhimit të makinave elektrike, Tesla, Elon Musk.

"Ai themeloi kompaninë e parë të madhe amerikane të makinave në breza. Kompania e tij e raketave (SpaceX) është e vetmja arsye që ne mund të dërgojmë tani astronautë amerikanë në hapësirë", tha zoti Trump.

“Siç mund ta shihni unë jam mbështetës i lëvizjes “Ta bëjmë Amerikën Sërish të Madhe”, tha zoti Musk.

Pas fitores së zotit Trump, Elon Musk pranoi të bëhej pjesë e qeverisë së re për të ndihmuar në përmirësimin e efikasitetit të saj.

Çmimi i aksioneve të firmës së zotit Musk, Tesla u rrit në nivel mbi 25 për qind që nga dita e zgjedhjeve, duke kaluar vlerën e tregut prej 1 trilion dollarësh për herë të parë në dy vjet.

Por, çfarë presin prodhuesit e tjerë të automjeteve elektrike nga ekipi i zotit Trump, që përfshin edhe drejtuesin e kompanisë Tesla? Në panairin Makinave në Los Anxhelos, Shiv Sikand po shfaq supermakinën “Drako” me katër motorë, tërësisht elektrikë.

“Është shumë pozitive që presidenti po i merr seriozisht këshillat e Elonit. Mendoj se ai do të jetë shumë i fuqishëm për të gjithë industrinë amerikane, jo vetëm për atë të makinave elektrike. Qëllimi ynë është të jemi më konkurrues, veçanërisht me kompanitë e huaja”, thotë ai.

Duke marrë parasysh premtimin e zotit Trump për tarifa ndaj importeve, makinat elektrike të prodhuara në Shtetet e Bashkuara mund të jenë më konkurruese.

Prodhuesi koreano-jugor i makinave, “Hyundai” do të prodhojë kamionin e tij elektrik “IONIQ 9” në shtetin amerikan të Xhorxhias, thotë zëdhënësi i kompanisë Miles Johnson.

“Atje do të prodhohet kamioni “IONIQ 9”. Në Xhorxhia gjithashtu kemi dy fabrika të prodhimit të baterive për tregun amerikan dhe për makinat që do të prodhohen për tregun amerikan. Pra, ne jemi të përkushtuar ndaj tregut amerikan”, tha ai.

Prodhuesit e automjeteve elektrike janë gjithashtu të vetëdijshëm se zoti Trump mund t'i japë fund kredisë prej 7,500 dollarësh për blerësit e makinave elektrike. John Thomas nga kompania e sistemeve të karikimit, “AMPure” thotë se kjo është pjesë e evolucionit të tregut.

"Nuk mund të marrësh gjithmonë mbështetje me subvencione. Ne shpresojnë që kjo mbështetje i ka dhënë nxitjen e duhur indsutrisë së makinave elektrike dhe tani ajo gradualisht mund të tërhiqet. Këto gjëra i kemi parë edhe në Evropë”, thotë ai.

Kompania "Kelley Blue Book" thotë se një rekord prej 1.2 milionë makinash elektrike u shitën në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, duke zënë më shumë se 7 për qind të tregut total të makinave në Shtetet e Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat