Xhorxhia, gjykata heq prokuroren Fani Willis nga çështja ndaj Presidentit të zgjedhur Trump

Amerika

Xhorxhia, gjykata heq prokuroren Fani Willis nga çështja ndaj Presidentit të zgjedhur Trump

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 20:38
Fani Willis

Një gjykatë shtetërore e apelit vendosi të enjten ta heqë Prokuroren e Qarkut Fulton, Fani Willis nga çështja kundër Presidentit të Zgjedhur Donald Trump dhe personave të tjerë të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e Xhorxhias, por nuk e pushoi çështjen, duke e lënë të pasigurt të ardhmen e saj.

Duke përmendur si arsye "perceptimin për sjellje të papërshtatshme” nga ana e prokurores Willis, gjykata e apelit e përbërë nga një trup prej tre gjyqtarësh, në një vendim 2-1 shprehet se se "ky është një rast i rrallë në të cilin skualifikimi është i nevojshëm dhe asnjë mjet tjetër nuk do të mjaftonte për të rikthyer besimin e publikut në integritetin e këtyre procedurave.”

Çështja kundër zotit Trump dhe mbi 10 personave të tjerë, ishte bllokuar prej muajsh.

Vendimi i gjykatës do të thotë se do të jetë në dorën e Këshillit të Prokurorisë së Xhorxhias që të gjejë një prokuror tjetër për të marrë përsipër çështjen dhe të vendosë nëse do të vazhdojë ta ndjekë atë, megjithëse procesi mund të zvarritet, nëse zonja Willis vendos të apelojë në Gjykatën e Lartë të shtetit dhe nëse kjo gjykatë pranon ta konsiderojë çështjen.

Gjykatësi i çështjes në muajin mars kishte lejuar që zonja Willis të vazhdonte të ishte prokurorja e çështjes.

Kjo është fitorja më e fundit ligjore për zotin Trump, ndërsa ai përgatitet të rikthehet në pushtet për një mandat të dytë, një tregues i mëtejshëm i faktit që çështjet penale që vetëm një vit më parë kërcënonin të paralizonin karrierën politike të zotit Trump, tani peshojnë në favor të tij.

Ai përshëndeti vendimin e gjykatës shtetërore, duke thënë për kanalin ‘Fox News Digital’ se çështja "nuk duhet të lejohet të vazhdojë më tej". Presidenti i zgjedhur shtoi: "Të gjithëve duhet t’u kërkohet ndjesë, përfshirë atyre patriotëve të mrekullueshëm që kanë vuajtur pasojat për vite me radhë."

Zhvillimi vjen disa javë pasi Prokurori i Posaçëm, Jack Smith mbylli dy çështjet penale federale kundër presidentit të ardhshëm dhe pasi dhënia e dënimit në një rast tjetër, për pagesa në këmbim të heshtjes në Nju Jork, është pezulluar për një kohë të pacaktuar, si rezultat i fitores së zotit Trump në nëntor.

Megjithatë, pasojat e çështjes së Xhorxhias ndaj zotit Trump mund të jenë minimale, duke pasur parasysh se është praktikisht e pamundur të vazhdohet një çështje penale kundër një presidenti në detyrë, pavarësisht se cili është prokurori. Por 14 të pandehurit e tjerë ende përballen me akuza.

Përfaqësuesit e zonjës Willis dhe avokati kryesor i zotit Trump në Xhorxhia, nuk iu përgjigjën menjëherë të enjten kërkesave për koment mbi vendimin.

Në opinionin e shumicës së gjykatës së apelit, të shkruar nga gjyqtari Trenton Brown, të cilit iu bashkua edhe gjyqtari Todd Markle, thuhet se “përgjigjia e hartuar nga gjykata për të parandaluar perceptimin e parregullsive nuk bëri asgjë për të shmangur pasojat e një sjelljeje të papërshtatshme që ekzistonte në momentet kur Prokurorja Willis përdori kompetencat e gjera për të përcaktuar se kë të ndiqte penalisht dhe çfarë akuzash të ngrinte.”

Në opinionin e tij kundër, anëtari tjetër i apelit, Benjamin Land shkroi se “ligji nuk e mbështet përfundimin e arritur nga shumica.” Gjyqtarët, tha ai, kanë kompetenca të gjera për të përdorur një zgjidhje juridike për një situatë të caktuar dhe gjykata e apelit duhet ta respektojë këtë.

“Ne jemi këtu për t’u siguruar që ligji të zbatohet në mënyrë korrekte dhe për të korrigjuar gabimet ligjore kur i hasim. Nuk është detyra jonë të vëmë në dyshim gjyqtarët apo të përdorim gjykimin tonë për të hedhur poshtë atë të tyre,” shkruan ai.

“Aty ku, si në këtë rast, një prokuror nuk ka konflikt interesi dhe gjykata, bazuar në provat e paraqitura, hedh poshtë pretendimet për parregullsi, ne nuk kemi asnjë autoritet ta përmbysim vendimin e saj”, tha ai.

Një juri e madhe në Atlanta paditi zotin Trumpin dhe 18 persona të tjerë në gusht 2023, duke i akuzuar ata për pjesëmarrje në një skemë të gjerë për përpjekje të paligjshme për përmbysjen e rezultatin të zgjedhjeve të vitit 2020 në Xhorxhia, ku zoti Trump humbi ndaj zotit Biden.

Katër prej tyre e kanë pranuar fajësinë pasi arritën marrëveshje me prokurorët. Zoti Trump dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm. Presidenti i zgjedhur Trump dhe disa nga të pandehurit e mbetur bënë përpjekje t’ia hiqnin zonjës Willis çështjen nga juridiksioni dhe ta pushonin çështjen.

Ata argumentuan se marrëdhënia e saj romantike me Prokurorin e Posaçëm Nathan Wade krijoi një konflikt interesi dhe se ajo bëri deklarata të papërshtatshme publike për rastin.

Gjykatësi i çështjes Scott McAfee, arriti në përfundimin në mars se nuk ekzistonte asnjë konflikt interesi që mund ta detyronte zonjën Willis të tërhiqej nga çështja. Zoti Trump dhe të tjerët e apeluan vendimin e tij.

Gjykatësi McAfee shkroi se zonja Willis mund të qëndronte në çështje vetëm nëse prokurori i posaçëm Wade largohej; Prokurori i posaçëm e dha dorëheqjen disa orë më vonë.

Pretendimet se zonja Willis kishte përfituar në mënyrë të papërshtatshme nga marrëdhënia me zonjën Wade ndikuan tek rasti, pasi detajet intime të jetës personale të tyre u diskutuan në gjykatë në mes të shkurtit. Zoti Trump dhe të tjerët argumentuan gjithashtu se komentet publike që bëri zonja Willis pasi u zbulua marrëdhënia, poshtëruan në mënyrë të paligjshme të pandehurit dhe avokatët e tyre.

Akuzat kundër zonjës Willis u denoncuan fillimisht në një mocion të paraqitur në fillim të janarit nga Ashleigh Merchant, një avokate e ish-punonjësit të fushatës së zotit Trump dhe ndihmësit të dikurshëm të Shtëpisë së Bardhë, Michael Roman.

Mocioni pretendonte se zonja Willis dhe zoti Wade ishin të përfshirë në një marrëdhënie romantike të papërshtatshme dhe se zonja Willis i kishte paguar zotit Wade shuma të mëdha për punën e tij dhe më pas përfitoi kur ai paguante për pushime luksoze ku shkonin të dy.

Zonja Merchant, në një deklaratë të enjten, shprehu keqardhjen që zonja Willis nuk u tërhoq vullnetarisht duke e vënë “gjykatësin McAfee në një pozitë të vështirë."

Zonja Willis dhe zoti Wade e pranuan lidhjen, por thanë se marrëdhënia e tyre nuk kishte filluar deri në pranverën e vitit 2022. Zoti Wade u punësua në nëntor të vitit 2021 dhe romanca e tyre përfundoi verën e kaluar.

Ata dëshmuan gjithashtu se i kishin ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë kostot e udhëtimit. Duke folur menjëherë pasi u zbulua lidhja, zonja Willis mbrojti kualifikimet e zotit Wade dhe punën e saj.

Avokatët e të pandehurve thanë se disa nga komentet e saj ishte të papërshtatshme dhe paragjykuese kundër vetë të pandehurve dhe ekipit të tyre ligjor, gjë që do të ndikonte negativisht tek çdo juri e mundshme e çështjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat