Projekligji i mbështetur nga zoti Trump, dështon në Dhomën e Përfaqësuesve

Amerika

Projekligji i mbështetur nga zoti Trump, dështon në Dhomën e Përfaqësuesve

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 06:29
Foto ilustrim

Një projektligj mbi shpenzimet ofruar nga republikanët dhe i mbështetur nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump dështoi gjatë një votimi të enjten pasdite në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky zhvillim e lë Kongresin pa një plan të qartë për të shmangur mbylljen e qeverisë ndërsa afatet për financimin e saj skadojnë mesnatën e së premtes.

Në mbështjetje të projektligjit votuan 174 ligjvënës dhe kundër tij 235, duke e hedhur në këtë mënyrë poshtë planin e hartuar me nxitim nga udhëheqësit republikanë, pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk prishën një marrëveshje të mëparshme dypartiake.

Pavarësisht mbështetjes që dha zoti Trump për projekligjin republikan, 38 republikanë votuan kundër tij, përfshirë të gjithë demokratët, përveç tre prej tyre.

Republikanët konservatorë që votuan kundër thanë se ai nuk parashikonte një reduktim domethënsë të shpenzimeve qeveritare.

Udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries e quajti projektligjin "qesharak".

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, tha të enjten në mbrëmje se: "Dështimi i projektligjit në Dhomën e Përfaqësuevse është një gjë e mire. Tashmë ka ardhur koha për t'u rikthyer tek marrëveshja dypartiake, që arritëm".

Financimi i qeverisë përfundon mesnatën e së premtes. Nëse ligjvënësit nuk arrijnë ta zgjasin afatin, qeveria do të fillojë një mbyllje të pjesshme duke ndërprerë fondet për gjithçka, nga ato agjenci që merren me sigurinë në kufi, tek parqet kombëtare, si dhe duke rrezikuar që më shumë se 2 milionë punonjës federal të mos paguhen. Administrata e Sigurisë në Transport paralajmëroi se udhëtarët gjatë sezonit të ngarkuar të festave mund të përballen me radhë të gjata në aeroporte.

Projektligji i ofruar nga republikanët ishte kryesisht i ngjashëm me versionin e mëparshëm që zoti Musk dhe zoti Trump e kishin cilësuar si një dhuratë e çuar dëm për demokratët.

Sipas tij financimi i qeverisë do të ishte zgjatur deri në mars. Deri atëherë zoti Trump do të jetë në Shtëpinë e Bardhë dhe republikanët do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump e cilësoi "sukses" hartimin e planit të ri për të financuar qeverinë që parashikonte dhe heqje të tavanit të borxhit.

Postimi i zotit Trump në mediat sociale erdhi teksa republikanët thanë se kishin arritur një marrëveshje pas bisedimesh të vështira me dyer të mbyllura. Republikanët thanë se sipas projekligjit qeveria do të vazhdonte punë edhe për tre muaj të tjerë, rritej ndihma në rast fatkeqësish natyrore për shtetet e goditura nga uragani e të tjera, si dhe do të lejonte qeverinë që të marrte më shumë hua, deri më 30 janar të vitit 2027.

“Sukses në Uashington! Kryetari Mike Johnson dhe Dhoma e Përfaqësuesve kanë arritur në një marrëveshje shumë të mirë”, shkruante zoti Trump përpara rrëzimit të projekligjit në Kongres.

Përpara votimit, demokratët dhe republikanët akuzuan njeri-tjetrin se do të ishin prëgjegjës nëse qeveria do të mbyllej.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson u tha gazetarëve se paketa do të shmangte problemin, e do ta bënte më të lehtë për ligjvënësit që të shkurtonin shpenzimet në qindra miliarda dollarë kur zoti Trump të merrte detyrën vitin e ardhshëm.

"Qeveria është shumë e madhe, bën shumë gjëra dhe pak prej tyre i bën mirë", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat