Disa orë përpara skadimit të afatit të mbylljes së pjesshme të qeverisë në mesnatë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një plan të ri të propozuar nga Kryetari Mike Johnson të premten në mbrëmje, që tani kalon për votë në Senat dhe më pas duhet të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden për t’u kthyer në ligj.
Paketa do të financonte përkohësisht operacionet federale dhe ndihmat për fatkeqësitë, por nuk përfshin kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për një rritje të kufirit të borxhit në vitin 2025.
Zoti Johnson kishte këmbëngulur se Kongresi do t’i "përmbushte detyrimet" dhe nuk do të lejonte mbylljen e operacioneve federale përpara sezonit të festave të Krishtlindjes.
Por fati i planit të tij ishte i pasigurt pasi zoti Trump përsëriti se një rritje e tavanit të borxhit duhet të ishte pjesë e çdo marrëveshjeje, duke thënë në një postim herët në mëngjes se nëse kjo nuk ndodhte le të “fillojnë tani” mbylljet.
Projektligji u miratua me 366 vota pro dhe 34 kundër dhe tani kalon në Senat që pritet ta miratojë së shpejti.
"Jemi entuziastë me këtë rezultat," tha zoti Johnson pas votimit, duke shtuar se ai kishte folur me zotin Trump dhe presidenti i zgjedhur "ishte gjithashtu i kënaqur me rezultatin".
"Nuk do të kemi një mbyllje të qeverisë," kishte thënë ai përpara votimit.
Ishte përpjekja e tretë nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, për të plotësuar një nga detyrimet bazë të qeverisë federale – që të vazhdojë të funksionojë.
Zhvillimet ngrenë pikëpyetje të forta lidhur me fatin e zotit Johnson në pozicionin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve përballë zemërimit të kolegëve të tij republikanë si edhe për shanset e marrëdhënies së tij me zotin Trump dhe aleatin e tij miliarder Elon Musk, të cilët e kishin kundërshtuar planin e parë të zotit Johnson.
Kërkesa e minutës së fundit e zotit Trump ishte pothuajse e pamundur për t’u plotësuar dhe zoti Johnson nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër veçse të punonte për një alternativë që nuk parashikonte rritjen e tavanit të borxhit.
Ai e dinte se nuk do të kishte mbështetje të mjaftueshme brenda shumicës së republikanëve për të miratuar paketën e financimit të qeverisë, pasi shumë republikanë preferojnë të bëjnë shkurtime të shpenzimeve të qeverisë federale dhe është e sigurt se do të ishin kundër rritjes së borxhit.
Republikanët, të cilët do të kenë kontrollin e plotë të Shtëpisë së Bardhë, Shtëpisë dhe Senatit vitin e ardhshëm dhe që kanë plane të mëdha për shkurtim taksash dhe përparësi të tjera, po tregojnë se u duhet të mbështeten vazhdimisht tek demokratët për votat e nevojshme për të plotësuar detyrimet për funksionimin rutinë të qeverisjes.
"A është ky një projekt-ligj i republikanëve apo i demokratëve?" ironizoi zoti Musk në rrjetet sociale përpara votimit.
Projekt-ligji i ri prej 118 faqesh parashikon buxhetin në nivelet aktuale të qeverisë deri në mars dhe shton 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë dhe 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët.
Kërkesa e zotit Trump për të hequr tavanin e borxhit, për të cilën udhëheqësit republikanë u thanë ligjvënësve se do të debatohej si pjesë e paketave të tyre për taksat dhe kufirin në vitin e ardhshëm, nuk u përfshi.
Republikanët premtuar se do ta rrisin kufirin e borxhit në vitin 2025 dhe se do të shkurtojnë gjithashtu 2.5 trilion dollarë në shpenzime për 10 vjet.
Është në thelb e njëjta marrëveshje që dështoi një natë më parë– e kundërshtuar nga shumica e demokratëve dhe disa prej republikanëve më konservatorë – me përjashtim të kërkesës për tavanin të borxhit të zotit Trump.
Demokratët nuk ishin entuziastë ndaj përpjekjeve të fundit pasi kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve që ishte një tërheqje nga kompromisin i tyre fillestar dypartiak.
"Mirë se vini përsëri në kënetën MAGA", shkruante sot në një postim në median sociale udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.
Megjithatë, shumica e demokratëve ishin pro miratimit të projektligjit.
Zoti Trump, që ende nuk e ka marrë detyrën, po tregon forcën, por edhe kufijtë e ndikimit të tij ndaj Kongresit, ndërsa ndërhyn nga Mar-a-Lago së bashku me zotin Musk, i cili do të drejtojë Departamentin e ri të administratës së ardhshme për Efikasitetin e Qeverisë.
Vetë zoti Trump shkaktoi mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur qeveria u mbyll në mënyrë të pjesshme për një muaj duke filluar rreth fundit të dhjetorit 2018, deri rreth mesit të janarit 2019.