Komisioni i Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve akuzoi të hënën ish ligjvënësin Matt Gaetz se kishte paguar “rregullisht” gra, mes tyre dhe një vajzë 17-vjeçare, për të kryer marrëdhënie seksuale. Në raport republikani nga Florida akuzohet gjithashtu se ka blerë e përdorur drogë gjatë kohës kur ishte anëtar i Kongresit. Materiali në vijim sjell detaje nga raporti i komisionit.
Pas një hetimi gati katërvjeçar që përfshiu shqyrtimin e 14 mijë dokumenteve dhe kryerjen e dhjetëra intervistave, Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve bëri publike gjetjet mbi sjelljet e ish ligjvënësit republikan Matt Gaetz.
Komisioni i përbërë nga ligjvënës të të dyja partive ka gjetur dëshmi të konsiderueshme sipas të cilave zoti Gaetz ka shkelur jo pak ligje shtetërore, përfshirë ato që lidhen me përdorimin e drogës. Po kështu ai dyshohet se ka paguar me rreth 100 mijë dollarë disa grave për marrëdhënie seksuale mes viteve 2017 dhe 2020.
Po sipas raportit, zoti Gaetz dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale dhe me një adoleshente, në vitin 2017. Në atë kohë ai ishte në mandatin e parë si ligjvënës ndërsa vajza në vitin e tretë të shkollës së mesme.
Por zoti Gaetz i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat.
“Nuk kam pasur lidhje me një 17-vjeçare. Kjo është krejtësisht e rreme”, tha zoti Gaetz në marsin e vitit 2021 për rrjetin Fox News.
Në raport, një grua e identifikuar si “viktima A” ka dëshmuar para komisionit se zoti Gaetz kreu dy herë marrëdhënie seksuale me të gjatë një feste. Duke iu referuar asaj mbrëmjeje ajo tha se “i kujtohet të kishte marrë 400 dollarë para në dorë nga ligjvënësi, që e kuptoi si pagesë për seks”, siç tha ajo.
“Viktima A” thotë se ajo nuk i ka treguar zotit Gaetz se ishte e mitur dhe se ai nuk e kishte pyetur për moshën.
Komisioni i Etikës thotë se marrëdhënia ka shkelur ligjin shtetëror të Floridës pasi pavarësisht se marrëdhënia u krye me pajtim mes të dyve, për shkak të moshës së vajzës, rasti mund të trajtohet si përdhunim.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump e emëroi zotin Gaetz për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Hetimi i Komisionit të Etikës dhe disa të dhëna që rodhën në media përpara publikimi të raportit bënë që ai të heq dorë nga kandidimi për këtë post.
Zoti Gaetz bëri një padi kundër Komisionit në një përpjekje për ta bllokuar publikimine raportit. Por kur kjo përpjekje dështoi, në një postim në median sociale ai shkruante se po sulmohej pa të drejtë..VOA