Nju Jork, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje pasi i vuri flakën një gruaje në metro

Amerika

Nju Jork, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje pasi i vuri flakën një gruaje në metro

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 19:32
Autori i dyshuar, Sebastian Zapeta

Në Nju Jork, një 33 vjeçar po përballet me akuzat për vrasje dhe zjarrëvënie të qëllimshme pas dyshohet se i vuri flakën një gruaje brenda një vagoni metroje dhe më pas e pa atë të vdiste ndërsa ajo ishte përpirë nga flakët.

Policia njoftoi të hënën se personi i identifikuar si Sebastian Zapeta është arrestuar nën dyshimet si autor i krimit, disa orë pasi gruaja humbi jetën, të dielën në mëngjes.

Zapeta është shtetas guatemalas i cili hyri ilegalisht në Shtetet e Bashkuara pasi ishte deportuar më parë në vitin 2018, tha Jeff Carter, zëdhënës i Departamentit të Emigracionit dhe Doganave.

Në kamerat e sigurisë duket i dyshuari teksa i afrohet gruas, e cila qëndronte ulur pa lëvizur dhe mund të ketë qenë në gjumë, brenda në vagonin e metrosë në stacionin e “Coney Island-Stillwell Avenue” në Bruklin dhe i vë zjarrin rrobave të saj, tha policia.

Rrobat e saj “morën flakë brenda pak sekondash", tha Jessica Tisch, komisionere e policisë së Nju Jorkut, teksa i dyshuari e shihte atë të digjej. Ai ishte në një stol në platformën e metrosë, ndërsa policia dhe punonjës të metrosë shuanin flakët.

Gruaja u shpall e vdekur në vendngjarje. Policia nuk e ka bërë ende të ditur identitetin e saj.

Komisionerja Tisch e cilësoi ngjarjen si një nga krimet më të pamëshirshme që një individ mund të kryejë ndaj një qenie tjetër njerëzore.

Policia e arrestoi 33 vjeçarin të dielën vonë ndërsa udhëtonte me të njëjtën linjë metroje, pasi u njoftua nga një grup nxënësish, të cilët e kishin njohur bazuar në fotografitë e të dyshuarit të shpërdara nga policia.

Nuk është ende e qartë se ku dhe kur hyri përsëri në territorin amerikan i akuzuari Zapeta, pasi ishte deportuar nga vendi rreth 6 vjet më parë.

Përmes një deklarate, Prokurori i Qarkut të Bruklinit, Eric Gonzalez, tha se “ky krim i tmerrshëm ishte i pakonceptueshëm” dhe se zyra e tij “është e përkushtuar për ta vënë autorin para drejtësisë".

“Ky akt i tmerrshëm dhune ndaj një gruaje të pambrojtur do të ketë pasojat më të rënda”, tha ai.

Nuk është e qartë nëse autori i dyshuar ka avokat dhe se kur do të dalë para gjykatës.

Adresa e Zapetës në Bruklin, e bërë publike policia, përputhet me qendrën ‘Samaritan Daytop Village’ që ofron strehë si dhe mbështetje kundër varësisë nga subtancat. Organizata nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë së lajmeve “Associated Press” për koment.

Këtë vit, guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul, ka dërguar në rrjetin e metrove, pjesëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmar autoritetet policore që të ushtrojnë kontrolle të rastësishme për armë, pas një sërie krimesh të rënda në trenat e qytetit të Nju Jorkut. Kohët e fundit ajo mobilizoi më shumë pjesëtarë të gardës për patrullimin gjatë sezonit të festave.

Rreth një vit më parë, zonja Hochul mbështeti financimin për vendosjen e kamerave në çdo vagon treni në sistemin e metrosë së Nju Jorkut, tha Michael Kemper, me policinë metropolitane. Ai dhe zyrtarë të tjerë vlerësuan se kamerat ndihmuan në gjetjen e shpejtë të autorit të dyshuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat