Amerikanët nisin sezonin e festave me vështirësi në transport

Amerika

Amerikanët nisin sezonin e festave me vështirësi në transport

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 21:42
Pasagjerët presin në aeroportin e San Juan, në Puerto Rico më 24 dhjetor, 2024, ndërkohë që kompania ajrore "American Airlines" nisi fluturimet pas një ndalese një orëshe për shkak të një problemi teknik në sistemin e saj/Reuters

UASHINGTON – Në prag të fillimit të festave të fundvitit, kompania amerikane e fluturimeve “American Airlines” ndërpreu të martën fluturimet për një periudhë të shkurtër kohore për shkak të një problemi teknik ndërkohë që temperaturat e ftohta ndërlikuan planet e udhëtimit të amerikanëve.

Pas një ore ndërprerje, agjencia rregullatore e transportit e lejoi kompaninë që të rifillojnë fluturimet, ndërkohë që platformat që përcjellin fluturimet njoftuan se vonesat të martën kishin prekur 1,447 fluturime në Shtetet e Bashkuara dhe drejt këtij vendi.

Kompania ‘American Airlines’ u detyrua të ndalojë të gjitha udhëtimet, 3320 fluturime brenda Shteteve të Bashkuara gjatë ditës së martë dhe 581 fluturime ndërkombëtare, pas njoftimeve për një problem teknik që ndikoi në mbarë sistemin elektronik të kësaj kompanie ajrore. Por, zyrtarët e kompanisë thanë se kishin hapësirë për të menaxhuar vonesat.

Miliona amerikanë pritet të udhëtojnë brenda 10 ditëve të ardhshme. Sipas agjencisë amerikane për transportin, ky numër pritet të kapë shifrën prej 40 milionë pasagjerësh deri më 2 janar, ndërkohë që ditët më të ngarkuara pritet të jenë e enjtja, e premtja dhe e diela.

Krahas vonesave, priten reshje shiu dhe bore në pjesën veriperëndimore të Paqësorit dhe stuhi në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Këto janë festat e para në Shtetet e Bashkuara që kur Departamenti i Transportit mori vendimin që i detyron linjat ajrore që të kompensojnë pasagjerët për vonesa apo anulime të fluturimeve.

Rreth 90 për qind e amerikanëve udhëtojnë me makina gjatë sezonit të festave, sipas organizatës ‘AAA’ që vëzhgon komunikacionin gjatë festave, ndër të tjera.

Këtë vit, çmimi i karburant është i ngjashëm me një vit më parë. Mesatarisht, 3.78 litra benzinë (një gallon) kushton 3.04 dollarë, ndërkohë që vitin e kaluar kjo mesatare ishte 3.13 dollarë.

Pritjet në autostrada gjatë festave pritet të jenë rreth 30 për qind më të gjata./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat