Trump synon Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë

Amerika

Trump synon Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë

Më: 25 dhjetor 2024 Në ora: 17:17
Donald Trump

Ndërsa përgatitet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka bërë thirrje për rivendosjen e Kanalit të Panamasë nën kontrollin amerikan, ndërsa ripërsëriti thirrjet për t’i blerë Danimarkës, Groenlandën.

Groenlanda, territori gjysme-autonom danez i mbuluar me akull, është sërish në objektivin e presidentit të ardhshëm amerikan. Të dielën, zoti Trump emëroi ambasadorin e ri amerikan në Danimarkë.

Në një postim në median sociale ai shkruante se: “Për arsye të Sigurisë Kombëtare dhe Lirisë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Groenlandës është një domosdoshmëri absolute”.

Republikani Trump sugjeroi gjithashtu marrjen e kontrollit të Kanalit të Panamasë. Ai i quajti “krejtësisht zhvatëse” tarifat e vëna nga Panamaja për të përdorur rrugën jetike të transportit detar.

“Nëse nuk respektohen parimet morale dhe ligjore, të këtij gjesti madhështor të dhurimit, atëherë ne do të kërkojmë që Kanali i Panamasë t’i kthehet plotësisht Shteteve të Bashkuara, shpejt dhe pa asnjë diskutim”, tha zoti Trump.

Duke hedhur poshtë akuzat e zotit Trump për tarifa të larta, Presidenti Jose Raul Mulino, tha se çdo metër katror i kanalit do të vazhdojë t’i përkasë Panamasë.

“Tarifat nuk janë trillime. Janë përcaktuar publikisht në një seancë të hapur, duke marrë parasysh kushtet e tregut, konkurrencën ndërkombëtare, kostot operacionale dhe nevojat për remont dhe modernizim të kanalit”, tha presidenti i Panamasë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se Groenlanda nuk është për shitje. Thirrjet e Presidentit Trump në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë, për të blerë Groenlandën nuk u materializuan.

Sidoqoftë, deklaratat e tij para marrjes së presidencës më 20 janar kanë tërhequr vëmendjen e disa partnerëve dhe aleatëve.

Këtu përfshihet edhe Kanadaja. Zoti Trump e quajti Kryeministrin Justin Trudeau “guvernator”, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund ta përvetësojnë fqinjin e saj verior, ndërsa e kërcënoi atë vend me 25% tarifa.

Ndërsa mbetet i paqartë qëllimi përfundimtar i zotit Trump, të hënën, djali i tij, Eric Trump, postoi në rrjetet sociale një foto të manipuluar të presidentit të zgjedhur duke blerë Kanadanë, Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë në dyqanin e kompanisë Amazon./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat